Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 18:39

Prishtinë – Nga e hëna, 11 mars 2013, qytetarëve të Republikës së Kosovës që posedojnë vizë Schengen nuk u kërkohet më vizë kroate për të hyrë, qëndruar apo kaluar tranzit përmes territorit të Republikës së Kroacisë.

Ambasada e Kroacisë në Prishtinë, përmes një note verbale, ka njoftuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës se autoritetet kroate kanë vendosur që të hiqet regjimi i mëparshëm për hyrje të qytetarëve të Kosovës në territorin e Kroacisë.

Ky vendim ka ardhur pas atij të muajit shkurt, përmes të cilit për qytetarët e Kosovës me vizë Schengen, të cilët nuk kanë pasur leje qëndrimi të rregullt në vendet e BE-së, u është kërkuar vizë kroate për të hyrë në Kroaci.

Me këtë rast, autoritetet e dy shteteve kanë pasur bisedime shumë të frytshme dhe tashmë autoritetet kroate kanë gjetur zgjidhje që do të mundësojë lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të Kosovës në Kroaci.

Ky regjim do të jetë i vlefshëm deri në datën e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian, njofton Ministria e Jashtme e Kosovës.

Pas këtij vendimi të shtetit kroat, diplomacia kosovare ka shprehur mirënjohjen e saj për autoritetet kroate për vullnetin dhe gjetjen e shpejtë të zgjidhjes.(LajmeShqip.com)