Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 08:45

Sarandë – Policia e Sarandës njofton se tre shtetas shqiptarë janë shpallur në kërkim, pasi dy ditë më parë, teksa tentoni të kalonin për në Greqi 338 kg marijuanë, për afro 15 minuta,  kanë shkëmbyer armë zjarri me policinë greke dhe më pas janë larguar duke braktisur sasinë e drogës.

“Tre shqiptarët, emrat e të cilëve për arsye hetimi nuk bëhen të ditur, thirrjes për të ndaluar i janë përgjigjur me armë për 15 minuta, duke i bërë rezistencë policisë greke”, tha një drejtues  i  Policisë lokale, ndërsa shtoi se “ngjarja ndodhi 48 orë më parë, rreth 1000 metra në thellësi të territorit grek”.

“Nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur të lënduar. Policia greke ka sekuestruar 9 çantat, brenda të cilave u gjet një sasi prej 338 kg marijuanë”, tha i njëjti zyrtar, duke cituar Policinë greke. Në vendngjarje u sekuestrua një numër i madh gëzhojash, të përdorura nga arma automatike, model “Kallashnikov”.

”Vendi ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit ndodhet pranë qytezës së  Konispolit, prej nga mendohet se është kryer edhe trafikimi i lëndës narkotike”, sqaruan burimet.

Sasia e bllokuar mbrëmë e çon në 3 ton e 498 kg, sasinë e hashashit të kapur nga policia e Igumenicës (Greqi) për këtë vit, sasi që dyshohet se ka ardhur nga rrethi i Sarandës.