Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 18:47

Sarandë – Rivotimi për kreun e komunës së Finiqit në rrethin e Sarandës po vijon normalisht. Ajo është një garë mes Ziso Llucit dhe Sokrat Spiros, por njëherësh një përballje elektorale edhe midis dy partive me bazë etnike të minoritetit grek, MEGA dhe PBDNJ, që nisi më 8 maj dhe po vazhdon edhe sot.

Rivotimi është zhvilluar përgjithësisht në kushte normale. Përjashtim nga normaliteti i përgjithshëm ka qenë fshati Vrion, në përbërje të kësaj komune, ku zgjedhësve u është mundësuar ushtrimi i të drejtës së votës pas orës 10.00 të paradites së sotme. Shkak është bërë dëmtimi qysh mbrëmjen e 30 korrikut i vulës së qendrës së vetme të votimit në këtë fshat.
Rreth orës 09.45 në fushën e Vrionit është ulur helikopteri i KQZ, me të cilin është dërguar vula e re. Pas plotësimit të këtij elementi, disa minuta pas orës 10.00 të paradites së sotme, është shënuar votuesi i parë, nga 1178 votues të regjistruar në qendrën e votimit Vrion.  
Përsëritja e votimit në komunën e Finiqit, është një ndër 10 vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor. Kreu aktual i këaj komune, Ziso Lluci, rezultoi fitues i votimeve të 8 majit, me 4 vota diferencë kundrejt Sokrat Spiros, ish-kryetar i këshillit komunar në mandatin e kaluar. Ka qenë pikërisht Spiro, që ka apeluar rezultatin në Kolegjin Zgjedhor, i cili ka vendosur rivotimin më 31 korrik, pas shqyrtimit të dokumentacionit zgjedhor të 8 majit, i cili ka rezultuar me mangësi të konsiderueshme, pasi për një masë të madhe votuesish nuk ishte regjistruar numri i kartës së identitetit apo pasaportës biometrike. 
Numri i votuesve të regjistruar në komunën e Finiqit është 4500 vetë. Deri rreth orës 16.00 në këtë komunë kanë votuar mbi 2000 zgjedhës. Pjesëmarrja e lartë në votime ka ardhur nga kthimi i emigrantëve të shumtë në vendlindje për pushimet verore.