Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 06:25

Sarandë – Në prani të mijëra qytetarëve, si dhe të ftuarve nga qytete te ndryshme të Shqipërisë, Edmond Gjoka, kryetari i bashkisë së Sarandës, dje ka deklaruar zyrtarisht hapjen e sezonit turistikë “Verë 2011”.

“Sivjet, Saranda ka një infrastrukturë të modernizuar dhe me standardet europiane”, tha ai. Sipas tij, një vit më parë kanë vizutuar qytetin bregdetar, në jug të vendit, mbi 600 mijë turistë, prej të cilëve 100 mijë turistë të huaj, ndërsa sivjet numri i tyre do të dyfishohet, duke shëndërruar brigjet e Jonit, si pikat më të preferuar për çdo pushues.

“Saranda është qytet model për zhvillimin e turizmit. Le të bëhemi të gjithë promovues të vlerave e bukurive turistike të qytetit”, theksoi Gjoka.

Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ngritur në zonën e bregdetit jugor të Shqipërise, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare, por edhe europiane.

Në fillimet e tij, qyteti ka shërbyer si një portë për qytetin antik të Finiqit dhe si rrjedhojë edhe si portë hyrjeje për në rajon. Kjo trashëgimi e pasur arkeologjike e gërshetuar me bukuritë e natyrës, si dhe portin e saj natyral përbën bazën më të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e imazhit aktual të Sarandës, si një destinacion i turizmit klasik botëror, si dhe për të tërhequr tregun e turizmit të veçantë.

Qyteti i Sarandës shtrihet përgjatë gjirit të detit Jon, deri aty ku derdhet Lumi i Bistricës në det, me një gjatësi prej rreth 7,5 km. Qyteti po zgjerohet me ritme të shpejta në disa drejtime si, drejt Kanalit të Çukës, drejt kodrave mbi det, apo drejt ish-repartit te marinës ushtarake.

Nën juridiksionin e bashkisë janë pesë lagje dhe tre fshatra: Gjashta, Metoqi dhe Shelegari. Në janar të vitit 2007, qyteti numëronte mbi 35.000 banorë dhe njihet si një zone me emigracion të madh.

Qyteti bregedetar ka një përbërje të larmishme etnike dhe krahinore. Saranda ka një klimë tipike mesdhetare. Saranda ka numrin më të lartë të ditëve me diell edhe në Europë, mbi 270 ditë.