Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 17:30

Sarandë – Të paktën 11 objekte pa leje, 9 metalike dhe 2 ndërtimore, u shembën sot nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në qytetin bregdetar të Sarandës.

Arben Ndoka, drejtori i Drejtorisë së Ekzekutimit në INUK, tha për se vendimi për prishjen e 11 objekte pa leje është marrë në bashkëpunim me Bashkinë Sarandë, e cila ka kërkuar dhe mbështetjen e INUK për zbatimin e këtyre vendimeve.

“INUK ka për qëllim të sigurojë respektimin e normave, standardeve dhe legjislacionit në fushën e ndërtimit, urbanistikës dhe rezervave ujore, në të gjithë territorin e vendit, në mënyrë të decentralizuar dhe në përputhje me parimin e subsidiaritetit në bazë të ndarjes administrative”, tha Ndoka.

Sipas Ndokës, INUK me një plan konkret veprimesh paralajmëron lirimin e gjithë zonës bregdetare nga ndërtimet e paligjshme.

“E rëndësishme është të sigurohet kudo zbatimi i ligjit, sidomos në zonat në të cilat në muajt e ardhshëm pritet të fillojë sezoni turistik, siç është dhe qyteti i Sarandës. Verifikime dhe në rast nevoje edhe ndërhyrje të njëjta do të ketë në ditët e javët e ardhshme në çdo zonë, ku njësitë vendore dhe autoritetet e tjera vendore kanë konstatuar ndërtime që vijnë në kundërshtim me ligjet në fuqi”, theksoi Ndoka.

Ai kërkoi mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e varësisë në të gjithë vendin  për të vënë para drejtësisë të gjithë kundravajtësit e ligjit.