Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 17:55

Sarandë – Pas Tiranës, Saranda ka qenë ndalesa e radhës për grupin e ish- amabasadorëve, ish- profesorëve e pedagogëve aktualë, që vazhdojnë të japin leksione në universitetin e San Diegos në SHBA.

Gjatë qëndrimit të tyre në qytetin bregdetar, ata janë pritur nga kryebashkiaku Edmond Gjoka. “Saranda është skaji më jugor i Shqipërisë, por është qendra e ritmeve të zhvillimit shqiptar, duke u vendosur vitet e fundit në hierarkinë e turizmit shqiptar dhe rajonal”, tha Gjoka.

Në prezantimin e qytetit, Gjoka tregoi për ritmet e larta të zhvillimit të qytetit, për investime madhore e për zhvillim prioritar në ndërtim-peshkim e bujqësi.

Nisur nga ngjashmëria e Sarandës me San Diego dhe për t’u dhënë rrugë projekteve në fushën universitare dhe në atë të mjedisit, u hodh ideja edhe për vendosjen e marrëdhënieve të binjakëzimit mes dy qyteteve.

Gjoka u ndal në faktin që prej 5 vjetësh Saranda ka universitin e saj të ekonomisë. Në këtë dimension të Sarandës si qytet universitar, ka qenë edhe interesimi i posaçëm i ish-pedagogëve dhe profesorëve të universitetit prestigjoz të San Diegos në Amerikë.

Njëri prej ish-amabasadorëve nga grupi që u pritën në bashkinë e Sarandës, zoti Charles W. Hostler, ka dhënë autografe për librin e tij të botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “55”, titulluar “Një jetë e madhe”.

Në fund miqtë nga San Diego vizituan sinagogën ebraike në qendër të qytetit, manastirin e 40 shenjtorëve, kalanë e Lëkurësit dhe me interes edhe më të veçantë, Butrintin.