Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 17:34

Në kuadër të angazhimeve institucionale për lobim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, është takuar në Sao Tome me kryeministrin e këtij shteti, Patrice Emery Trovoada si dhe me ministrin e punëve të Jashtme, Manuel Salvador Dos Ramos.

Gjatë këtij takimi, sipas një njoftimi për medie lëshua nga zyra e zv/kryeministrit Pacolli, ky i fundit informuar edhe njëherë kryeministrin Trovoada me arritjet demokratike që Kosova ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Në këtë kontekst, Pacolli ripërsëriti kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, dhe fillimin e bashkëpunimit diplomatik, ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.

“Në anën tjetër, kryeministri Sao Tome dhe Principe, Patrice Emery Trovoada, i premtoi zëvendëskryeministrit Pacolli, se shteti i tij, ka filluar procedurën për njohjen e Republikës së Kosovës dhe se kjo njohje do të vije shumë shpejt”, theksohet në komunikatë.

Ky është takimi i dytë që Pacolli zhvilloi me kryeministrin Trovoada. Me 30 tetor në Paris, ata kanë zhvilluar edhe një takim tjetër, në të cilin po ashtu temë kryesore ishte kërkesa për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndërkaq, sipas agjendës, sot (e hënë), zëvendëskryeministri Pacolli do të qëndrojë në Guinenë Ekuatoriale, ku do të takohet me presidentin e këtij vendi, Teodoro Obiang.