Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 15:48

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati një bashkëbisedim me përfaqësueset e mediave në Kosovë, kryeredaktore, redaktore dhe gazetare, me ç’rast i njoftoi ato për Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, që do të mbahet në Prishtinë prej 4 deri më 6 tetor.

Presidentja Jahjaga theksoi se në dy dekadat e fundit Kosova dhe rajoni ka kaluar nëpër faza të tranzicionit dhe, gjatë kësaj periudhe, sakrificat dhe puna e palodhshme e grave ka qenë vendimtare në vendosjen e sigurisë, stabilitetit, si parakushte për zhvillimin e vendeve përkatëse. Ajo theksoi se përmes Samitit Ndërkombëtar të Gruas, të parit të këtij lloji jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin, synohet krijimi i një platforme të përbashkët të avancimit të çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare.

“Samiti ndërkombëtar i gruas synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, botës akademike dhe politikëbërësve, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve dhe shteteve. Synimi parësor i këtij Samiti Ndërkombëtar të Gruas është shfrytëzimi i çdo mundësie për garantimin e fuqizimit të gruas në çdo fushë të jetës, si një qëllim i përbashkët në shkallë globale dhe si një platformë për zhvillim të përgjithshëm të vendeve tona”, tha Presidentja Jahjaga. Ajo tha se investimi i një shoqërie në avancimin e të drejtave të grave është një investim në të ardhmen e një vendi, ndërsa siguria e gruas garanton sigurinë e të gjithë shoqërisë.

 Në bashkëbisedim me përfaqësueset e medieve në Kosovë, Presidentja Jahjaga theksoi se Samiti Ndërkombëtar do të ofrojë mundësinë që pjesëmarrësit, gra dhe burra, të shkëmbejnë ide dhe përvoja, të ndajnë praktikat dhe përvojat e tyre më të mira, dhe të ofrojnë zgjidhje për sfidat e mbetura dhe më eminente me të cilat përballen jo vetëm gratë në Kosovë, por edhe ato në rajon dhe më gjerë.

 Presidentja Jahjaga theksoi se gjatë punimeve të Samitit do të diskutohet përparimi dhe ndryshimet pozitive por në të njëjtën kohë do të identifikohen zgjidhjet potenciale për sfidat globale, me synim përpilimin  e një udhërrëfyesi për të ardhmen që do t’i shërbente  jo vetëm Kosovës e rajonit por dhe vendeve të tjera të botës që ndajnë të njëjtat sfida.(LajmeShqip.com)