Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 14:44

Prishtinë – Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ka thënë sot se avokatët mbrojtës të një rasti mund të kenë shpërndarë audio-incizimet e bisedave ndërmjet zyrtarëve të lartë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi, që më pastaj janë postuar në YouTube.

EULEX-i ka thënë se audio regjistrimet janë pjesë e një hetimi që është duke u zhvilluar dhe se ato u janë dorëzuar avokatëve mbrojtës dhe gjykatësve në Prishtinë, duke mos përmendur se për cilin rast dhe për cilin person që është nën hetim bëhet fjalë, raporton agjencia AP.

Një burim ndërkombëtar i sigurisë, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se përgjimi “është pjesë e hetimit për korrupsion në Ministrinë e Transportit”.

Në një aferë të tillë është akuzuar ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj.

Në YouTube janë publikuar disa biseda telefonike, që thuhet se janë përgjime të kryeministrit Thaçi dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së. Në to është vënë në thumb kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

EULEX-i ka konfirmuar se bisedat e incizuara nuk janë të montuara.

Sami Lushtaku: S’kërkoj falje

Jakup Krasniqi i ka porositur bashkë-partiakët që t’i kërkojnë falje për fyerjet që ia kanë bërë atij në bisedat telefonike të cilat dolën në internet. Pasi ta bëjnë këtë, atëherë thotë Kryeparlamentari do të deklarohet për këtë skandal. Por, njeriu që dëgjohet duke e sharë më së shumti Krasniqin në këtë audio-incizime, Sami Lushtaku, pohon se nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje.

Nuk e ka ndërmend të flasë për sharjet që iu bënë. Madje as që do të prononcohet rreth asnjë fjale të vetme që u tha për të, derisa ata që e përgojuan nuk i kërkojnë falje publike. Është ky komenti i vetëm i Jakup Krasniqit, protagonistit të bisedave telefonike të përgjuara nga misioni i EULEX.

Vetëm një ditë pas publikimit të këtyre bisedave telefonike në mes të anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat gjatë gjithë ditës së enjte qarkulluan nëpër internet, foli kryeparlamentari Jakup Kransiqi. Nuk tha shumë, por kërkoi vetëm dy gjëra prej kolegëve që e shanë. Krasniqi po pret kërkimfalje dhe mendimet që të tjerët kanë për të t’ia thonë publikisht.

“Mendoj që është koha që aktorët, të cilët dëgjohen duke biseduar ose duke raportuar edhe jashtë jetës institucionale, t’i thonë mendimet e veta. Të paktën, ndoshta është krejt njerëzore që të bëhet një kërkimfalje publike pasi që publiku është shqetësuar. Unë pastaj do ta jap edhe mendimin tim”, ka thënë kryepartlamentari Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Pavarësisht atyre çfarë thanë bashkëpartiakët e tij për të, Krasniqi pohon se e ndien veten shumë mirë, pasi vlerëson se nuk është ofenduar personalisht, por i është ofenduar pozita që ai mban.

“Unë ndjej veten shumë mirë për ata”, ka sqaruar Krasniqi. “Unë mundem me thënë që Jakup Krasniqi nuk është ofenduar, nëse është ofenduar është ofenduar kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kjo nuk është çështje e imja, është çështje e opinionit dhe çështja e akterëve dhe tani për tani po them nuk kam ndonjë përgjigje tjetër”, ka deklaruar ai.

E ai që përgjatë bisedës telefonike ishte më fyes sesa protagonistët e tjerë, thotë se nuk e ka në plan t’ja plotësojë dëshirën Kryepartlamentarit Krasniqi. Në një deklaratë për Express Sami Lushtaku, kryetari i Komunës së Skenderajt thotë se aktualisht nuk e ka ndërmend askujt t’i kërkojë falje për asgjë. “Nuk e kam ne plan t’i kërkoj falje askujt. Vlerësoj se nuk ka për çfarë të kërkoj falje. Do ta lëmë këtë far pune të pushojë pak në publik, e pastaj do të shohim se çfarë do të bëhet më tutje”, ka thënë Lushtaku të premten për Express. Gazeta është munduar që gjatë gjithë ditës ta kontaktojë edhe Adem Grabovcin, por diçka e tillë ishte e pamundur.

Por nuk është vetëm protagonisti kryesor i bisedave në mes anëtarëve të partisë së tij, që ka reaguar të premten. Pas publikimit të bisedave telefonike mes tyre, ka reaguar edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Tha se përgjimet, të cilat janë bërë, tregojnë se në Kosovë për fat të keq çdo njeri mund të përgjohet. Ai tha se për këtë duhet të japin përgjigje EULEX-i dhe Qeveria. “Çdo njeri mund të përgjohet, edhe kur s’e ke privatësinë edhe s’i ke kushtet që ta ruash pozitën zyrtare. Është mirë që edhe EULEX-i edhe Qeveria të japin përgjigje për këtë. Për neve është mjaft shqetësuese, shqetësues është fakti i gjuhës që përdoret dhe shqetësues është fakti i përgjimit. Ne si LDK kemi dhënë për një kohë të gjatë vërejtjet tona se ne po zhvillojmë një shtet policor në Kosovë”, theksoi Mustafa.

Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë një konference të organizuar për përgjimet e së enjtes, VV e ka quajtur Qeverinë e Kosovës mafioze pas publikimit të përgjimeve telefonike që u janë bërë udhëheqësve të shtetit. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, tha se nuk është e rëndësishme se kush i ka bërë publike përgjimet, por e rëndësishme është që qytetarët ta kuptojnë se Kosova ka rënë në duar të mafiozëve. “SHIK-u ende vepron dhe ju kemi thënë disa herë se SHIK-u nuk është shuar. Këtë e dëshmon më së miri fakti se Adem Grabovci i raporton Kadri Veselit për vizitën në Bruksel”. Ahmeti tha se EULEX-i duke i ditur të gjitha këto, ende nuk ka ndërmarrë asgjë, ndërsa njerëzit e qeverisë i cilësoi si të shantazhuar.

Krejt këto reagime vinë vetëm një ditë pas publikimit të përgjimeve të zyrtarëve të PDK-së, të cilat tanimë kanë pushtuar mediat vendore dhe ndërkombëtare, ku kryeparlajmentari në disa raste fyhet rëndë nga zyrtarët e PDK-së. Disa “përgjime” të telefonatave të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, Sami Lushtakut dhe Vlora Citakut, kanë qarkulluar nëpër internet të enjten. Në këto biseda që nuk dihet se nga kush janë bërë apo nga kush janë bërë publike, Thaçi gjatë bisedës, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi e quan “Jakupovski”, derisa heziton të shkojë në Malishevë për të mbajtur një fjalim në 12-vjetorin e PDK-së.

Në një bisedë tjetër dëgjohet duke folur Vlora Çitaku me Adem Grabovcin. Ajo thotë se sa të jetë Jakup Krasniqi do të jetë problem, ndërsa Grabovci i kërkon t’i punësojë dikë si praktikant në Ministrinë e saj. Më “atraktivi” duket Sami Lushtaku, i cili të sharat nuk i heq nga goja. Ai e ofendon rëndë Jakup Krasniqin, e pyet Grabovcin se pse nuk po e shkarkon partia. Ndërkohë, Grabovci i raporton për çdo detaj Kadri Veselit.

Menjëherë pas bërjes publike të përgjimeve, ka reaguar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila e ka dënuar këtë akt, duke e quajtur falsifikim dhe të paligjshëm si dhe ka kërkuar ndriçimin me urgjencë të këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër publikimin e përgjimeve të falsifikuara dhe joligjore të bisedave telefonike, të cilat gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucionalë.

Qeveria kërkon me urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka konfirmuar se përgjimet telefonike të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtareve tjerë të lartë të PDK-së, nuk janë të montuara. Misioni i EULEX-it ka thënë se këto biseda telefonike të publikuara në internet, kanë të bëjnë me një proces gjyqësor që ende është duke vazhduar. “Siç kërkohet proceduralisht, materiali në lidhje me këto procedime ishte dorëzuar nga Prokuroria e EULEX-it tek ekipi mbrojtjes dhe në gjykatë”.

ASHMDHP, e shqetësuar nga publikimi i përgjimeve

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shprehu sot shqetësimin e saj me rastin e publikimit të kundërligjshëm të audio incizimeve të disa zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, përfshirë këtu edhe kryeministrin. Me rastin e publikimit të përgjimeve të tilla, kjo agjenci ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e këtij rasti, i cili atakon direkt privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të zyrtarëve të cilët janë objekt i këtij përgjimi, thuhet në një njoftim për opinion të kësaj agjencie.(LajmeShqip.com)