Lajme Shqip Thursday, 03 September 2015 12:22

Bashkësia e Komunave Serbe (BKS) ka fituar vetëm atë që buron nga Kushtetuta e Kosovës në bazë të Planit të Ahtisaarit, pohon Sllobodan Samarxhiq (kryetar i PDS), në një tekst autorial në gazetën “Politika“ ku është nënshkruar si “ish- ministër për Kosovë e Metohi“.

Reagimet zyrtare, sipas Samarxhiqit, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për BKS – një nga katër marrëveshjet – ishin fokusuar në tri pika për të bindur, se bashkësia është krijuar si themel i jetës së serbëve në Kosovë, bashkësia ka karakteristika të rëndësishme të autonomisë dhe bashkësia posedon karakteristika të forta të lidhjeve me Serbinë, transmeton shkrimin e kësaj gazete QIK-u.

Sipas Samarxhiqit asnjëra nga këto pika nuk ka mbështetje në Marrëveshje.

Ai thotë së përfaqësuesit e pushtetit në Serbi e kanë ditur këtë kur nënshkruan marrëveshjen e parë të Brukselit. Në të kundërtën nuk do ta përkrahnin dokumentin, i cili të gjitha që i përcakton e bën shprehimisht nën kushtin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Kontesti që po zhvillohet në negociatat teknike dhe politike në thelb është absurd. Serbia me të gjitha forcat përpiqet që serbët në Kosovë të fitojnë atë që u garanton Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, ndërsa shqiptarët këtë e evitojnë duke shkelur detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore”, thotë Samarxhiq.

“Serbia zyrtare do që të heq dorë nga Kosova, por këtë nuk ia lejojnë shqiptarët me qëndrimin e tyre iracional se serbët aty nuk kanë çfarë të kërkojnë. Rezulton se në këtë absurd tragjikomik evropianët janë në telashe të mëdha. Problemi i tyre themelor është se si t’i bindin shqiptarët për të drejtën, e cila është vetëm rezultat i forcës dhe i dhunës. Tani Serbia sërish duhet ta ndihmojë Evropën”, përfundon Samarxhiq shkrimin e tij.