Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 08:04

 “Përzive me do njerëz që s’u dashtë edhe t’kom thanë mos o vlla”.

Këto ishin fjalët që Asdren Mekaj i kishte shkruar në një bisedë në Facebook Palë Grudës, të birit të Zef Grudës, pronarit të argjendarisë “Zefi”, në Prizren, derisa bisedonin për një obligim financiar në vlerë prej 200 mijë eurosh të cilat Mekaj pretendon se ia ka borxh Gruda për disa pazare me vetura dhe motorë të shtrenjtë, shkruan sot Koha Ditore.

Këto biseda, një incizim i një bisede telefonike të realizuara mes dy të rinjve, një deklaratë noteriale e realizuar në Tiranë mes tyre janë dëshmitë që Salih Mekaj përmes mbrojtjes së tij, i ka dorëzuar më 5 gusht të këtij viti, vetëm një ditë pas seancës në të cilën u rivendos arresti shtëpiak ndaj tij, tek prokurorja speciale Drita Hajdari dhe gjyqtarja e Gjykatës Themelore, Alltene Murseli.

Kjo për të dëshmuar pafajësinë e tij për veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare për ndërmjetësim në fajde për të cilën po hetohet pas vendimit për zgjerimin e hetimeve ndaj tij të cilën Prokuroria e kishte marrë më 20 korrik 2015.