Lajme Shqip Tuesday, 15 September 2015 13:30

Gazetari shumë vjeçar, Milaim Zeka, ka shpalosur detaje interesante nga puna e tij si gazetar. Në një intervistë dhënë për portalin, Magazina. al, Zeka është përgjigjur edhe në pyetjet se sa milion euro i ka bërë duke e merr me gazetari? Për sa pica mund të blihet ai? Me kë ishte në tavolinë kur iu ofruan 300 mijë euro për një emision? Kush deshi ta shkatërronte ish-kryetarin e Pejës, Ali Berisha? Pse do ta kursente Jakup Krasniqin prej ndonjë skandali eventual? Pse sipas Zekës, gazetarët kosovarë janë injorantë e emisioni i tij duhet të merret si model?

Zeka në këtë intervistë thotë se sa qenë në Suedi, me gazetari natyrisht që ka fituar, por për miliona nuk bëhet fjalë.

“Kam fituar aq shumë me gazetari sa që mundem me qenë i pavarur me mendu shlirë, me shkru shlirë. Kjo është pasuria dhe fitimi më i madh”, tha Zeka, duke shtuar se në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në përgjithësi në Ballkan gazetaria të bën shumë të varfër.

Zeka përmend tri raste kur i janë ofruar shumë të mëdha parash, por nuk është korruptuar.

“Mundem me t’i thënë tri momente që më kanë ofruar para. Një rast 300 mijë euro te Restaurant ‘Gizzi’ në Prishtinë. Prezent në tavolinë ka qenë edhe ish rektori Zenel Kelmendi, kur një person m’i ofroi 300 mije euro që të mos e transmetojë një emision. Rasti tjetër është në villa ‘Germia’ në Prishtinë kur m’i kanë sjellë një çantë me 350 mijë euro për ta bërë një emision kundër ish-kryetarit te Pejës, Ali Berishës. Ndërsa rasti i fundit ka qenë kur një parti politike më ka ofruar shumë para dhe disa poste me ia fut një personaliteti shumë të madh në jetën politike në Kosovë edhe nuk kam pranuar. Kështu që jo që nuk me blejnë me pica, por po e tham publikisht se nuk ka asnjë politikanë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni qe unë kam pranuar me ngrënë një darkë prej tyre”, tha Milaim Zeka.

“Rasti i fundit i ofertës ka qenë prej një partie politike e vjetër me shumë ndikim që nënkupton se ka qenë në pushtet e tash është ne opozitë”, u shpreh Zeka.

Gazetari Milaim Zeka tha se gazetarinë kosovare po e rrezikon politika, biznesi dhe injoranca.

Por, a ka pasur rastet kur Zeka e urryer vetën pse është gazetar?

“Ta them te drejtën asnjëherë. Gjithmonë jam krenuar pse jam gazetar dhe kjo më ka frenuar të mos hy në politikë. Kam mundur të jem deputet, ambasador por kam refuzuar”.

Në pyetjen e Magazina.al, se kujt prej politikanëve në Kosovë ia kishe mbajt fshehur ndonjë skandal, Zeka u përgjigj “Jakup Krasniqit sepse e dua, e çmoj dhe e respektoj shumë si njeri”.