Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 14:18

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk arriti të premten për mungesë kuorumi (pesë vota) të kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve për kryetar në komunën Shalë (Shkodër).

Pas hedhjes në votim, me 3 vota pro dhe 2 kundër KQZ nuk kaloi për shqyrtim ankimimin e demokratëve.

Përfaqësuesit e opozitës në KQZ kundërshtuan mbrojtjen e kësaj kërkese në Komisionin Zgjedhor nga juristi i PD-së, Ivi Kaso, i cili sipas tyre, është autorizuar në këtë detyrë në kundërshtim me ligjin.

Sipas anëtarit të KQZ-së, Artan Laze, në bazë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvëndës të tij, ndaj theksoi ai, kërkesa e PD-së nuk duhet pranuar si e paplotë.

Më 21 gusht në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i “Koalicionit për të ardhmen”, Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dedë Tonaj, me 642 vota.