Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 14:35

Tiranë-Pak ditë më parë, në gazetën Panorama, Viktor Gumi, deputeti i përjashtuar nga listat e PD-së, shkruante se kryeministri në largim, Sali Berisha, bëri Dushkun perfekt me aleatët.

Ai thotë se një gjë e tillë është antikushtetuese.

Ilir Rusmali, një tjetër deputet i përjashtuar nga listat e PD-së, rimerr këtë tezë dhe thotë se Dushku perfekt i solli humbjen Berishës.

Rusmali thotë se nuk qëndron pretendimi i Berishës se aleatët i kanë dhënë PD-së 11 deputetë në zgjedhjet e vitit 2009.

“Në harkun e katër vjetëve bashkëqeverisje, në vigjilje të lidhjes së marrëveshjes së re të koalicionit, mund të thuhej me siguri se PD-ja nuk mund të kishte asnjë arsye apo justifikim për t’u ndier në “borxh”, apo për të pasur “frikë” se, po t’i linim PR, PDIU, LZHK, PDK, PLL jashtë formulës së Dushkut, ata mund të na dëmtonin rëndë. Analiza e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2009 tregon se këta aleatë, të cilët me aq zell i përfshimë këtë herë në listat e kandidatëve të PD-së në pozicione fituese, nuk kanë pasur kurrë ndikimin elektoral që kanë pretenduar,” shkruan Rusmali.

Në analizën e publikuar në gazetën Panorama, Rusmali thotë se PD u dha gjashtë mandate aleatëve dhe mori vetëm një të tillë, në Kukës.

“Kjo është e vërteta kokëfortë e shifrave. Edhe në këto zgjedhje shifrat e “borxheve” dhe të “ndereve” janë saktësisht këto: PD u ka “dhuruar” aleatëve të Dushkut 76 345 vota, u ka bërë “nder” me 17 550 vota dhe ka hyrë në “borxh” tek ata me 4190 vota. Një hesap si ky mund ta quajë me leverdi vetëm dikush që i ka votat tepër, por jo ai që i dhimbset çdo votë e votuesve të vet, jo ai që respekton sistemin proporcional rajonal që kemi në fuqi dhe që jep e merr prej tij vetëm çfarë ai i lejon,” shkruan Rusmali.

Sipas Rusmalit, Berisha veproi si Nano me Dushkun dhe humbi.

“Historia e zgjedhjeve të mëparshme në Shqipëri ka treguar se të mëdhenjtë ia kanë parë sherrin si Dushkut të thjeshtë, ashtu dhe Megadushkut. Fatos Nano në vitin 2001 e kërkoi Dushkun për t’u bërë me çdo kusht President, por President nuk u bë dot, edhe pse kishte votat. Presidentin e zgjodhi kundërshtari i tij, Sali Berisha. Fatos Nano nisi Megadushkun për të fituar zgjedhjet e vitit 2005, por Berisha iu përgjigj me të njëjtën skemë dhe ia neutralizoi efektin. Nano humbi zgjedhjet (jo vetëm për këtë shkak). Fitorja i buzëqeshi Berishës. Në zgjedhjet e 2013-s Dushku perfekt dogji atë që e solli Dushkun si zgjidhje shpëtimtare. Berisha humbi zgjedhjet (jo vetëm për këtë shkak, edhe pse është njohur gjerësisht si një shkak i rëndësishëm). Zgjedhjet i fitoi Rama. Dushkut ia panë hairin vetëm aleatët e vegjël (të tjerët). /Tema/Lajmeshqip/