Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 17:20

Tiranë – Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, është shprehur sot se nëse ish-lideri i opozitës, Fatos Nano, kërkon të kandidojë për President duhet të bindë palët politike.

Ruli vlerëson kontributin e Fatos Nanos në politikën shqiptare, por ai ngre pyetjen nëse Nano do të jetë figura konsensuale për postin e kreut të shteti.

“Krahasuar me ambientin politik shqiptar, me njerëzit që mund të kenë staturën për t’u prezantuar dhe për të kandiduar për një rol kaq të rëndësishëm, z. Nano ka një CV të përputhshme”, thekson Ruli, por vijon ai,  “natyrisht z.Nano duhet të ketë një aksion politik me të cilin duhet të bindi në radhë të parë rreshtimin e tij politik të PS-së, ku do ta ketë të vështirë për shkak të Ramës, i cili ka uzurpuar vullnetin e PS-së”.

Por, vijon  Ruli, “njëkohësisht Nano duhet të bindi dhe Partinë Demokratike dhe partitë e tjerat të koalicionit ose jo, të cilat duhet të pranojnë nëse do të jetë vërtet figura e z. Nano figura më konsensuale”.

Ish-lideri i opozitës Fatos Nano u shpreh në një intervistë nga Londra se është i gatshëm të angazhohet për më shumë iniciativë e hapësirë bipartizane ose jo partizane në politikën shqiptare, e për të kontribuar për integrimin e vendit tonë në BE.

“Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”, ka theksuar z. Nano.

Në verën e vitit 2007 Fatos Nano parashtroi kandidaturën e tij për President të Republikës, të shoqëruar me një platformë politike, që sipas tij, do të forconte karakterin mbi partiak në Shqipëri, proceset e dialogut dhe reformat bipartizane, por, kryetari socialiste, Edi Rama, hoqi çdo mundësi bashkëpunimi, duke bërë absolutisht të sigurt rrëzimin e kandidaturës së Nanos.