Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 14:47

Anëtari i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajçi, e ka quajtur shumë të dëmshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas tij, nga ky proces, Kosovës rrezikon të humbë mbi 12 mijë hektarë, për faktin se janë deformuar kufijtë e 1974-tës.

“Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është shumë e dëmshme për vendin dhe marrëveshje e njëanshëm. Me këtë marrëveshje, Mali i Zi po i merr bjeshkët me të bukura, tokat me të mira të shfrytëzuara nga vet banorët e Kosovës”, ka thënë Lajçi për ORAinfo.

Me këtë vendim, sipas tij, Qeveria e Kosovës po dëshiron t’ia bëjë qefin Malit të Zi, duke i dëmtuar banorët e shtetit të vet.

“Vërejtjet tona nuk janë marrë fare parasysh. Po shihen qartë synimet e Mustafës dhe Thaçit të cilët me çdo kusht po dëshirojnë që këtë tokë t’ia falin Malit të Zi”, ka thënë Lajçi për ORAinfo.

Prandaj ai ka paralajmëruar protesta masive duke mos e përjashtuar as eskalimin e situatës.

“Ne do të organizojmë protesta se bashku me banorët e kësaj ane të cilët nuk do të rrinë duarkryq. Do të këtë ndërprerje të rrugëve, por edhe format tjera, kjo varët edhe nga tensionet që mund të krijohen. Çfarëdo që të ndodh, përgjegjësia do të bije mbi Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar Lajçi.

Sidoqoftë, ai ka thënë se tani janë duke tentuar t’i bindin deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë dokumentin e miratuara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.