Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 13:46

Shkup -Lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani në intervistën për radion Evropa e Lirë ka thënë se duhet të redefinohet statusi i shqiptarëve në Maqedoni. Ai ka theksuar se pas zgjedhjeve duhet formimi i një pakti ndërshqiptar në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve, përballë paktit maqedonas, në kuptim të një partneriteti të ri maqedono-shqiptar, për të gjitha mosmarrëveshjet, që nëpërmjet dialogut demokratik dhe institucioneve të sistemit duhet të tejkalohen.

“Kemi nevojë edhe njëherë të shqyrtojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe e gjithe kjo të jetë me aspirata për stabilizimin e vendit, prosperitet të mëtejmë dhe definimin e këtyre marrëdhënieve, sepse askush nuk mund të garantojë se Marrëveshja e Ohrit do të ishte edhe pranueshme edhe për gjeneratat e ardhshme, duke marrë parasysh të gjitha mangësitë që janë të dukshme dhe që janë të konstatuara nga partnerët e brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë Osmani.

Sipas tij Marrëveshja e Ohrit nuk është aspirata e fundit e shqiptarëve në Maqedoni, ashtu siç mendon partia shqiptare në pushtet.

“Ne mendojmë se me një marrëveshje të pranueshme midis të dyja palëve më të mëdha, do të jetë oferta e jonë në këto zgjedhje. Dhe në këtë drejtim synojmë edhe për një kombinim me zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit, korrupsionit dhe stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike”, ka thënë numri një i RDK-së Osmani.

Sipas tij, qëndrimet e deritanishme të partive më të mëdha politike BDI dhe PDSH, por edhe vetë RDK-së është që të maten forcat në zgjedhje dhe, pastaj, siç ka shtuar, “varësisht nga rezultatet të shihen se cilat do të jenë koalicionet e mundshme”.

Ndërkohë, sa i përket daljes së RDK-së si parti tjetër në spektrin politik në Maqedoni, Osmani ka thënë se ka ekzistuar një kërkesë e tillë në bllokun politik shqiptar.

“Mendoj se ka nevojë, duke u nisur edhe nga argumentet se të gjitha partitë politike shqiptare janë të mbyllura dhe definitivisht kanë deficit të kapaciteteve demokratike në radhët e tyre”, ka thënë ai.