Lajme Shqip Friday, 06 September 2013 11:09

Tiranë- Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste e cila ka zgjatur vetëm 20 minuta ka rikonfirmuar emrin e Gramoz Ruçit në krye të grupit parlamentar të kësaj partie. Pas mbledhjes, në një njoftim zyrtar PS ka konfirmuar këtë propozim i cili do ti shkojë për miratim mbledhjes se grupit parlamentar që do zhvillohet mesditen e sotme.

“Kryesia u njoh, gjithashtu, edhe me kalendarin e aktiviteteve të javës që vjen, kur edhe qeveria e re do të nisë zyrtarisht punën”, thuhet në njoftimin zyrtar të PS.

Ndërkohë sipas raportimit të gazetarit të News24 nga selia e PS, Arber Hitaj në mbledhjen e sotme të kryesisë është diskutuar edhe për hapjen e garës për zgjedhjen e kreut të PS pas përfundimit të mandatit të zotit Rama.
Por zyrtarisht mësohet se ndërkohe kryesia e PS ka vendosur që sipas statutit të hapë dhe garën për kreun e PS.

“Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do të zhvillohen zgjedhjet në parti”, njoftoi zyra e shtypit te PS pas mbledhjes se kryesise.

U tha se në këtë mbledhje do të diskutoheshin edhe emrat për postin e nenkryetarit të kuvendit, nënkryetareve të grupit të PS dhe krerëve të Komisioneve Parlamentare që drejtohen nga PS, por këto çështje do të shqyrtohen javën e ardhshme pas seancës së parë të kuvendit, ditën e hënë./bw/