Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 17:50

Prishtinë- Vëzhguesit e BE-së e kanë fshikulluar RTK-në për mënyrën se si e ka mbuluar fushatën parazgjedhore. Sipas raportit fillestar të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së, “në programet e saj, RTK1 ka treguar preferencë gjatë prezantimit të PDK-së, sidomos liderit të saj, kryeministrit (Hashim Thaçi)”.

Ky mision i BE-së për zgjedhjet e 3 nëntorit nuk e ka qëllim vetëm të verifikojë nëse zgjedhjet kanë qenë të lira, por pjesë të mandatit të tyre kanë pasur edhe shumëçka tjetër për zgjedhjet. Monitorimi mediave për mënyrën se si po e pasqyrojnë fushatën zgjedhore është një nga gjërat me të cilat janë marrë në këtë mision.

Shumë më mirë se sa kanali i parë që udhëhiqet nga shqiptarët qëndron kanali i dytë i RTK-së i cili ofron program për minoritete.
Sipas raportit të Misionit të Vëzhguesve të BE-së thuhet se RTK 2 ka bërë “mbulim të balancuar, duke përfshirë debatet e garuesve që përfshinë votuesit serbë, malazezë dhe boshnjakë”.

Raporti i publikuar të martën në hotelin Emerald thotë se televizioni privat kombëtar, RTV 21 ka ofruar “portretizim të balancuar të garuesve”, ndërsa Kohavisioni dhe Koha Ditore mbulimin e PDK-së e kanë bërë me tone kritike.

Të dy këto kanale (RTV 21 dhe KTV) sipas të njejtit raport kanë transmetuar edhe “programe analitike dhe debate të cilësisë së lartë”.
Raporti gjithashtu vlerëson se “liria e shprehjes” që në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë është respektuar gjatë periudhës së fushatës.

“Sidoqoftë, në një rast të dukshëm negativ, kryeredaktori i gazetës ‘Kosova Sot’ është kërcënuar pas një foto-reportazhi të publikuar që kishte të bënte me komunën e Prishtinës”, shkruan në kuadër të raportit fillestar të Misionit të Vëzhguesve të BE-së. /Zëri/