Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 14:31

Pas zhbllokimit të të gjitha rrugëve kryesore nga bora në territorin e Komunës së Mitrovicës, tashmw kompanitë e angazhuara janë fokusuar në rrugët lokale të fshatrave. Zyrtarët komunalë thanë se është duke vazhduar edhe aksioni për pastrimin e rrugëve të qytetit gjatë orëve të natës, kur trafiku është më i rrallë. 

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, edhe një herë ka vlerësuar punën e mirë të të gjitha strukturave komunale dhe tw kompanive, shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve për  zhbllokimin  e rrugëve nga bora. Në takimin e së enjtes të komitetit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, ai kërkoi që puna të vazhdoj në mënyrë që të zhbllokohen edhe lagjet më të thella të fshatrave. 

Një raport për gjendjen e rrugëve e dha drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli, i cili tha se tetë kompanitë e angazhuara nga komuna janë duke vazhduar punën pa ndërprerë. “Të gjitha rrugët kryesore janë të zhbllokuara, ndërsa tash do të fillohet me pastrimin e rrugëve  në fshatrat e thella malore”. 

Ai tha se gjatë natës ka vazhduar puna për pastrimin dhe largimin e grumbujve të borës nga rrugët e qytetit. “Edhe mbrëmë sikur një natë me parë është punuar gjatë orëve të natës. Kjo do të vazhdoj deri në pastrimin e të gjitha rrugëve të qytetit”. 

Drejtori Veseli theksoi se ka filluar puna që të pastrohen edhe rrugët përreth shkollave në mënyrë që të krijohet mundësi për lëvizje të lirë të nxënësve, që pritet të rifillojnë mësimin javën e ardhshme. Ai gjithashtu tregoi se të enjten do të punohet në qendër të qytetit, përreth palestrës së sportit dhe komunës, për të krijuar hapësirë të nevojshme për aktivitetet që mbahen në kuadër të shënimit të 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se probleme për lëvizje ka në disa fshatra të thella, si në Kovaqicë, mandej Kutllovc dhe në shumë lagje të fshatrave. “Jemi duke punuar që edhe rrugët lokale brenda fshatrave të jenë të kalueshme, meqë janë duke krijuar shumë probleme”. 

Drejtori për Shëndetësi tregoi se banorët e fshatrave  shqiptare të  Leposaviqit janë ndihmuar me një kontingjent medikamentesh, për të cilat kanë pasur nevojë, ndërsa drejtori për Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, tha se kanë bërë gati një listë prej 150 familjesh të cilat kanë nevojë për ndihmë.