Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 09:40

Abuzimet seksuale ndaj të miturave janë rritur ndjeshëm në vendin tonë. Abuzimi seksual ndaj të miturve në Kosovë vijon të mbetet problematikë. Shifrat mund të jenë më të larta nga denoncimet apo rastet e bëra publike.

Statistikat e fundit të Policisë së Kosovës tregojnë se në vitin 2015 janë shënuar gjithsej 34 raste për keqpërdorim seksual të personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ndërsa, në vitin 2014 janë raportuar gjithsej 30 raste e që në vitin 2013 ky numër ishte më i ulët, me gjithsej 27 raste.

Genc Xërxa, sociolog, për gazetën “ Zëri” ka thënë se rastet e tilla duhet të izolohen dhe të merren masa të rrepta për parandalimin apo evitimin e kësaj dukurie. “Rastet e pedofilizmit duhet të izolohen të detektohen dhe të merren masa të rrepta mjekësore, juridike, sociale, ligjore, institucionale përkrahëse ndaj viktimave, me qëllim të parandalimit apo evitimit të rasteve të tilla, të cilat lënë mjaft pasoja të rënda tek fëmijët”, ka thënë Xërxa.

Ndër të tjera, Xërxa shtoi se rastet e abuzimit me fëmijë, që ndryshe njihet edhe si “Pedofilizmëm”, janë ende një temë tabu në Kosovë, prandaj shoqëria domosdoshmërish duhet të debatojë.

“Shoqëria domosdoshmërish duhet të debatojë, të mos përdorë këtë fenomen që po shfaqet si një tabu-teme, të mos ketë aspak njëlloj stigmatizimi të fëmijëve nga presioni social apo konteksti kulturor, rrethanor, si rrjedhojë apo cak potencialisht i viktimizuar nga shoqëria, e në disa raste edhe nga incesti, viktimë/cak nga rrethi i ngushtë apo më i gjerë familjar”, ka thënë Xërxa.

Ndërsa Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se Policia e Kosovës për çdo rast të raportuar ndërmerr masat e nevojshme ligjore.

“Policia e Kosovës për çdo rast të raportuar ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore, duke bashkëpunuar ngushtë me personat përgjegjës për viktimat, qendrat për Punë Sociale dhe akterët tjerë relevantë të involvuar, duke kryer intervistimet dhe hetimet e nevojshme për kompletimin dhe adresimin e rasteve tek organet kompetente.

Në kuadër të Policisë, ne kemi njësi relevante dhe zyrtarë të trajnuar mirë për trajtimin dhe hetimin e fushave specifike, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e rasteve apo veprave penale që kanë të bëjnë me integritetin seksual”, ka thënë Hoxha.

Sipas sociologëve, pedofilia është një sëmundje seksuale e pashërueshme, e çrregullimit të preferencave të tilla, në të cilën individët kanë tendencë dhe tërheqje seksuale ndaj të miturve, fëmijëve, deri në moshën 13-vjeçare, me qëllim të arritjeve të kënaqësive seksuale dhe epsheve të tij trupore, duke i përdorur fëmijët në fjalë si partnerë seksualë.