Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 17:44

Tiranë – Mazhoranca qeverisëse i është përgjigjur me të njëjtën monedhë presidentit të republikës i cili ktheu për shqyrtimin e ligjit për plehrat.

Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin rrëzoi me votat e maxhorancës dekretin e Presidentit Bamir Topi për kthimin në Kuvend të ligjit për menaxhimin e mbetjeve. Komisioni vendosi që ligji t’i kthehet Kuvendit në seancë plenare.

 Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate midis deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës lidhur me nenin 48 dhe 49 për importin e mbetjeve.

Në Komision përfaqësuesit e ministrisë së Mjedisit argumentuan se ligji është në përputhje të plotë me direktivat evropiane, si dhe me legjislacionin e vendeve fqinjë. Zv/ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino, tha se “ligji është në përputhje me direktivat evropiane dhe legjislacionin e vendeve fqinje.

Shqipëria e shikon këtë çështje të integruar me Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje”.

 Ligji ndjek frymën e vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë. Ne nuk marrim mbetje për t’i depozituar apo ruajtur, tha Bino, sipas të cilit, ligji garanton mbrojtje të mjedisit.

 Deputetët e opozitës kundërshtuan nenin për importin e mbetjeve, duke argumentuar se duhet të jetë prioritet menaxhimi i mbetjeve. Deputeti Besnik Bare tha se situata në vend e mbetjeve është kritike, ndërkohë që Konventa e Bazelit përcakton se përparësi duhet të kenë mbetjet në vend për t’u ricikluar, ndërkohë BE nuk detyron pasjen e nenit 49.

Në përgjigje zv/ministri Bino theksoi se pasja e këtij neni ndihmon industrinë e riciklimit. Aktualisht, sipas tij, kjo industri shfrytëzon vetëm 10-30 % të mbetjeve në vend për riciklim.

Përfaqësuesit e shoqatave mjedisore në komision shfaqën dhe pikëpamjet e tyre mbi çështjen e mbetjeve dhe importit të tyre.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni dhe Blendi Kajsiu, përfaqësues të Aleancës kundër importit të mbetjeve, sqaruan arsyet pse e kundërshtojnë këtë ligj, nenin 49 të tij.