Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 17:39

New York – Organizata Rrënjët Shqiptare, nga New York-u i ka drejtuar letër të hapur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me anë të të cilës i kanë kërkuar atij që shteti shqiptar të reagojë ndaj deklaratave fyese dhe ofendimeve të Partisë greke “Agimi i artë”.

“Organizata Rrënjët Shqiptare e shikon publikimin e deklaratës së Partisë Agimi i Artë si pjesë e vazhdueshme e propagandës reaksionare nga qarqe greke kundër popullit shqiptar. Kjo vepër e shëmtuar e kësaj partie që është edhe pjesë e parlamentit grek kurrsesi nuk duhet toleruar nga shteti jonë”, thuhet në letër.

Kjo organizatë vlerëson rolin parimor të politikave të shtetit shqiptar ndër vite për një rajon të stabilizuar dhe larg konflikteve etnike, por në të njëjtën kohë kërkon nga shteti shqiptar, në përputhje me të drejtat e reciprocitetit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, të bëhet një zë i fuqishëm në mbrojtje të dinjitetit të kombit shqiptar.

“Ju bëjmë thirrje, që si një shtet që sot bën pjesë në organizatën më të fuqishme ushtarake dhe politike ‘NATO’ dhe në të njëjtën kohë aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, të demaskohen këto qarqe anti shqiptare dhe t`i kërkohet Athinës zyrtare t`i kërkojë ndjesë popullit shqiptar”, përfundon letra e hapur e Organizatës Rrënjët Shqiptare, drejtuar presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.(K.P/LajmeShqip.com)