Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 14:31

Tiranë- Disa të përditshme raportojnë sot se një nga godinat e prishura në Llogara, i përket një kushëriri të Edi Ramës, kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë.

Sipas Shqip, pronari i godinës dykatëshe pa leje, pretendon se është kushëri i Ramës, por thotë se ai nuk ka pranuar ndërhyrje për godinën.

Vetëm gjatë aksionit të djeshëm, Inspektorati Ndërtimor shembi 15 ndërtime njëkatëshe me konstruksion të lehtë. Në aksionin e djeshëm ishte edhe vetë kryebashkiaku Gjika, ndërsa asistuan në ndihmë edhe forca të Policisë së rendit.

“Dua të jap një mesazh të qartë për ndërtimet e paligjshme që u prishën. U them atyre banorëve të mos kenë asnjë iniciativë për të rindërtuar, sepse Bashkia e Vlorës është e vendosur për ta vazhduar këtë aksion deri në shtator, ndërsa pas këtij muaji kemi detyrë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të përmirësuar hapësirat publike. Ne kemi një program të qartë për punën tonë. Të hënën do të vazhdojmë me një aksion të posaçëm për lirimin nga ndërtimet në Pyllin e Sodës dhe në plazhet publike”, tha Gjika.