Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 20:03

Tiranë – Kryeministri Berisha ka reaguar më në fund në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit në Përmet. Ai ka thënë se është pro vendimeve të gjykatës, por ka dënuar veprimet e përmbaruesve.

Ndërkohë, Berisha i ka cilësuar si të papranueshme dhe absurde deklaratat e qeverisë greke në lidhje me këtë ngjarje, shkruan Tema.
“Prej dy ditësh skena jo të denja janë regjistruar në Përmet. Përmbarimi privat ka ekzektutuar një vendim përfundimtar gjyqësor të vitit 2002, me të cilin i ka kthyer Bashkisë së qytetit të Përmetit një lokal që gjatë diktaturës ka qenë pallat kulture, por që sipas autoriteteve kishtare të vendit më parë ka qenë kishë dhe që prej vitit 1999 është kisha ortodokse e këtij qyteti.
Kryeministri vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor, por nga ana tjetër skenat e rrëmbimit të objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë, rikthyen për shqiptarët pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit.
Ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Kryeministri thekson gjithashtu se qëndrimet e djeshme të disa qytetarëve, por dhe të ndonjë të kleriku ishin të gabuara.
Kryeministri vlerëson dialogun e sotëm midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit te Komitetit te Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste.
Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. Shqiperia ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të cdo lloj”, thuhet në një deklaratë të Kryeministrisë.