Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 12:33

Zbardhet dëshmia tronditëse e një vajze 22-vjeçare, e cila është shfrytëzuar si prostitutë për 4 vjet me radhë nga kushëriri i saj i parë në Shqipëri, në Zvicër dhe në Itali.

Në rrëfimin e saj horror e reja pohon se është abuzuar dhe dhunuar seksualisht nga kushëriri, me të cilin pretendon se ka ngelur tetë herë shtatzënë. Në të teta rastet, sipas saj, është detyruar prej tij të abortojë. Dëshmia rrëqethëse, në kufijtë e të pabesueshmes, është pjesë e vendimit gjyqë¬sor të Gjykatës për Krimet e Rënda ndaj të akuzuarit si autor i shfrytëzimit të saj, të pandehurit Mark V.

Ai u dënua me 21 vjet heqje lirie për akuzën e “trafikimit të personave të rritur”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Gazeta “Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit të Krimeve të Rënda, ku zbardhen provat dhe dëshmitë mbi bazën e të cilave u deklarua fajtor i pandehuri Mark V. Në vijim botohen deklarimet e dhëna nga e trafikuara M. në prokurori gjatë fazës së hetimeve paraprake, dëshmi të marra si prova në gjykim. Ajo rrëfen me detaje se si është detyruar përmes dhunës dhe kërcënimeve të prostituojë nga ana e kushëririt të saj të parë, si dhe të abortojë në plot tetë raste. E reja ka treguar se abuzimin e parë nga i afërmi i saj e kishte pasur që në moshën 17¬vjeçare dhe në një rast ishte përdhunuar në sy të motrës së saj të mitur.

NGJARJA SIPAS GJYKATES

Rekrutimi i të dëmtuarës nga i pandehuri lidhet me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në familjen e të dëmtuarës. Nga fundi i vitit 2010, të dëmtuarës M. i ka vdekur në një aksident me motor vëllai i saj. Rreth një javë pas vdekjes së vëllait të saj, e dëmtuara së bashku kushëririn janë nisur për të shkuar në Gjendjen Civile Shënkoll, Lezhë, me qëllim të deklaronin vdekjen e tij. Këtë veprim të dy këta shtetas do ta kryenin me kërkesë të prindërve të të dëmtuarës dhe të të ndjerit.

Që nga kjo ditë e dëmtuara M. nuk është kthyer më në shtëpinë e saj. Ajo është rekrutuar nga kushëriri i saj i parë, i pandehuri Mark V. I pandehuri, pasi e ka rekrutuar kushërirën, e ka marrë dhe nëpërmjet dhunës fizike e psikike e ka transferuar jashtë shtetit. Ai së bashku me të dëmtuarën kanë qenë së paku në Itali, Zvicër. Nën ndikimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e të pandehurit Mark V. e dëmtuara ka ushtruar prostitucion në Milano, Itali, dhe në Lucern, Zvicër. Ajo ka ushtruar prostitucion nën mbikëqyrjen e të pandehurit në një hotel në Milano dhe në një shtëpi me qira që i pandehuri ka marrë në Lucern nëpërmjet një të njohuri të tij.

SHFRYTEZIMI NE ITALI

Më konkretisht në fillim të vitit 2014, ata kanë shkuar së bashku në Itali me linjë autobusi. Atje kanë qëndruar në qytetin e Milanos për rreth një muaj. Hotelin e paguante i pandehuri Mark V. Gjatë këtij muaji i pandehuri i ka sjellë pothuajse çdo ditë disa persona, të cilët kryenin marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën M. Paratë, pas kryerjes së çdo marrëdhënieje, i merrte i pandehuri. Ai merrte 50 euro nga çdo person.

E dëmtuara M. gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur mundësi të largohej apo të kontaktojë me persona të tjerë. Dokumentet i mbante i pandehuri dhe ushqimin në dhomë e sillte vetë i pandehuri. E dëmtuara me asnjë nga personat që ka kryer marrëdhënie nuk ka komunikuar për t’u njohur pasi ata me porosi të të pandehurit Mark V. nuk prezantoheshin.

SHFRYTEZIMI NE ZVICER

Pas qëndrimit rreth një muaj në Itali, i pandehuri së bashku me të dëmtuarën kanë shkuar në Zvicër. Atje kanë qëndruar me qira në një shtëpi në qytetin Lucern. Shtëpinë e kishte gjetur një person nga Kosova, me të cilin njihej i pandehuri. Në këtë shtëpi personi nga Kosova sillte klientë për të kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Paratë i merrte i pandehuri. Për çdo klient i pandehuri merrte nga 100 franga. Në Zvicër ata kanë qëndruar rreth dy muaj.

SHFRYTEZIMI NE SHENGJIN

Pas qëndrimit në Zvicër, të dy janë kthyer në Shqipëri dhe kanë qëndruar në Shëngjin. Edhe atje i pandehuri i ka gjetur klientë të dëmtuarës në këmbim të shërbimeve seksuale që ajo u ofronte dhe paratë për shërbimet e të dëmtuarës i merrte i pandehuri. Gjithashtu i pandehuri ka bashkëjetuar me të dëmtuarën gjatë gjithë kohës që ata kanë së bashku me njëri¬tjetrin. Për një periudhë prej katër vitesh, nga viti 2010 deri në qershor të vitit 2014, i pandehuri ka pasur nën kontroll të plotë të dëmtuarën M. Në muajin qershor të vitit 2014, e dëmtuara, pasi ishte kthyer në Shqipëri, së bashku me të pandehurin janë vendosur në Shëngjin, Lezhë.

SHKEPUTJA

Gjatë kësaj kohe e dëmtuara ka mundur t’i largohet të pandehurit dhe për arsye të sigurisë për jetën e saj e të familjarëve të saj, ajo nuk ka shkuar në banesën e prindërve të saj, pasi i druhej ndonjë veprimi të dhunshëm që mund të kryente i pandehuri ndaj saj apo familjarëve të saj. Për të shmangur konfliktin dhe pasojat që lindnin nga konflikti, e dëmtuara është larguar nga Lezha dhe ka ndaluar në zonën e Fushë¬Krujës, vend në të cilin i ka kërkuar ndihmë një të panjohuri për të. Shtetasi K. S., banues në Mamurras, ka takuar rastësisht në rrugë të dëmtuarën. Ajo i kërkoi atij që ta ndihmonte duke e strehuar në shtëpinë e tij, pasi ajo ndihej e frikësuar nga kushëriri i saj i parë, cili e kërkonte dhe mund ta vriste. E dëmtuara i ka thënë shtetasit K. S. se i afërmi e kishte trafikuar si prostitutë. E dëmtuara ka qëndruar në shtëpinë e këtij shtetasi për rreth një javë në muajin qershor të vitit 2014. Në shtëpinë e shtetasit K. S. ka ardhur në muajin qershor edhe i pandehuri Mark V. dhe i ka kërkuar që ai të nxirrte nga shtëpia kushërirën e tij. I pandehuri i ka treguar deklaruesit pasaportën e tij dhe të të dëmtuarës për ta bindur se shtetasja M. është kushërira e tij e parë dhe për këtë vajzë ai përgjigjej para prindërve të saj, të cilët ia kishin besuar të pandehurit. Pas kësaj situate, deklaruesi K. S. nuk ia ka dorëzuar të pandehurit kushërirën.

DESHMIA E VAJZES SE TRAFIKUAR

Theksoj se kushëriri im i parë, i quajtur Mark V., që prej disa kohësh më ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Shqipëri, kryesisht në Lezhë, por dhe jashtë shtetit në Itali e Zvicër. Fillimisht ka filluar para disa vitesh, ku Marku gjente klientë të ndryshëm se i sillte tek unë me qëllim që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me këta shtetas kundrejt pagesës, e cila varionte në shuma të ndryshme. Fillimisht kjo veprimtari e Markut ka qenë më e rrallë në kuptimin që më sillte vetëm disa veta, ndërsa kohët e fundit që prej gjashte muajve Marku më ka sjellë persona të panjohur, deri në shtatë ose tetë persona në natë. Gjatë verës së vitit 2013, në kohën që qëndroja në banesën e marrë me qira nga ana e shtetasit Mark V., ka ndodhur që kam shkuar me persona të panjohur, të cilët i sillte Marku. Në lidhje me pazaret ndaj këtij klienti është marrë Marku, ku në këtë rast më ka informuar se ky klient e paguante për shërbimin seksual që unë i kryeja 5000 lekë ora dhe 10.000 në rastet kur unë kaloja natën me të. Në lidhje me shpenzimet që bënim për të jetuar dhe për banesën u merrte gjithmonë shtetasi Mark V. dhe theksoj se në asnjë rast unë nuk jam marrë me marrjen e shumave të lekëve nga klientët. Për sa i përket ushtrimit të prostitucionit në shtetin italian, kam për të sqaruar se në fillim të vitit 2014, ku data nuk më kujtohet, unë kam shkuar në Itali së bashku me Markun. Kemi shkuar me autobus. Për itinerarin që kemi përshkuar nuk di të jap shpjegime. Atje kemi shkuar me qëllim që unë të punoja si prostitutë, ku Marku do të më gjente klientë. Dua të theksoj se biletat i kemi blerë te një agjenci udhëtimesh në Lezhë. Di që Marku i ka mbetur edhe 200 euro borxh. Theksoj që unë nuk kam dashur që të shkoj në Itali për të kryer këtë punë, por jam detyruar nga Marku. Ai herë pas here më bënte presion, duke më thënë që nëse unë nuk shkoja, ai do të më vriste vëllain ose motrën, pasi dhe vëllain tim të madh Marku më ka thënë se unë ta kam vrarë.

ABUZIMI NE SY TE MOTRES

Marku me mua ka abuzuar seksualisht në moshën 17 vjeç e gjysmë dhe vëllai im në atë kohë ishte gjallë, por nuk e dinte. Për këtë fakt kishte dijeni që pas ditës së parë që ka bërë marrëdhënie seksuale Marku me mua, së pari motra ime, e cila filloi të qante. Po atë ditë i tregova mamit tim dhe ajo tha t’i themi vëllait, por unë i thashë se jo, mos i trego se e vret Marku. Marku ka rrahur dhe prindërit mi, duke u nxjerrë dhe thikën, pasi donte të komandonte në shtëpinë tonë. Gjithashtu, rreth dy vite më parë, ka pasur një rast ku Marku ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj meje dhe ka detyruar motrën time të ishte prezente në dhomë gjatë kryerjes së aktit seksual.

ÇDO DITE ME KLIENTE

Dua të sqaroj se kur kemi arritur në Itali, kemi qëndruar në një hotel, mendoj se kemi qenë në Milano. Hotelin e ka gjetur Marku me 20 euro në natë. Në Itali kemi shkuar me dokumente të rregullta me pasaporta biometrike. Në kohën që kam vajtur në Itali me Markun, familjarët e mi nuk kanë pasur informacion. Unë kam folur me nënën time vetëm një herë gjatë gjithë kohës që unë kam qenë në Itali. Gjatë kohës që kam qëndruar në Itali, Marku më ka shfrytëzuar thuajse çdo ditë, duke më sjellë klientë të ndryshëm, që unë të kryeja marrëdhënie seksuale. Ai nuk më linte që të dilja jashtë për të bërë xhiro ose pazar. Ushqimin e konsumoja në dhomë, pasi atë e sillte të përgatitur Marku. Nga të gjithë personat me të cilët unë kam kryer marrëdhënie në Itali, nuk mund të identifikoj asnjërin prej tyre, megjithëse si fytyra më kujtohen. Nga ana e tij, Marku më porosite vazhdimisht që nëse më pyesnin, të mos tregoja se mua më kishte dërguar Marku. Po kështu ai porosiste dhe klientët që të mos tregonin emrin e tyre të vërtetë, gjate kohës që vinin për të kryer marrëdhënie seksuale me mua në hotel. Duke qenë se më kanë mbaruar lekët, jemi larguar dhe kemi vajtur në Zvicër. Në Zvicër kemi qëndruar në një qytet, i cili quhet Lucern, kemi marrë me qira një banesë për shumën 800 franga në muaj, të cilat i paguante një person tjetër nga Kosova. Gjatë kohës që kam qëndruar në Itali nuk kam pasur telefon celular, pasi nuk ma lejonte Marku nga frika se unë bëja kallëzim. Pjesën e kohës kur unë nuk kisha klientë, Marku qëndronte në hotel së bashku me mua, megjithëse dilte herë pas here, gjatë kohës që unë rrija në hotel në Itali, të gjitha dokumentet e mia i mbante Marku, dokumente të cilat i posedon dhe sot ai, pra pasaportën dhe kartën e identitetit.

SHTATZENE ME KUSHERIRIN

Marku, përveç veprimtarisë që përmenda më sipër, ka kryer dhe me mua marrëdhënie seksuale. Për herë të pare ai ka kryer marrëdhënie kur kam qenë 17 vjeçe e gjysmë në Lezhë. Marrëdhënien e parë seksuale unë e kam kryer në moshën 17 vjeçe kundrejt dëshirës. Në Zvicër unë kam qëndruar pothuajse rreth dy muaj. Duke qenë se unë kam ngelur shtatzënë nga një akt seksual që kam pasur me kushëririn tim Mark V., jemi detyruar që të kthehemi në Shqipëri. Këtu unë jam detyruar që të bëj abort, duke përdorur disa medikamente, kur kam qenë në muajin e tretë të shtatzënisë. Kam bërë dhe një vizitë në spitalin gjinekologjik Lezhë. Kam bërë dhe ekografi dhe duhet të ketë një dosje në spital në emrin tim. Emrin e doktorit që më ka bërë vizitën nuk e mbaj mend. Lidhur me veprimet e Markut, unë jam paraqitur dhe kam bërë kallëzim para disa vitesh së bashku me nënën time, por më pas e kemi tërhequr me mendimin se Marku nuk do të më shqetësonte më. Në atë kohë Marku është arrestuar dhe ka qëndruar në burg rreth një muaj. Por pasi ka dalë nga burgu, ka ardhur përsëri te shtëpia ime dhe më ka marrë me vete. Pasi qëndrova te shtëpia prindërve, pasi isha kthyer nga Zvicra rreth një javë, Marku ka ardhur dhe më ka marrë përsëri te shtëpia ku unë nuk kam dashur që të shkoj dhe jemi vendosur me banim në Shëngjin. Edhe pasi jemi vendosur me banim në Shëngjin, Marku ka filluar që të më gjente klientë, të cilët ishin shtetas shqiptarë, por herë pas here më sillte dhe marinarë të huaj, kryesisht me ngjyrë.

TETE HERE ABORT

Të them të drejtën, me sa mbaj mend unë, kam kryer rreth 8 aborte të cilat i kam kryer me të njëjtin mjek këshillues, i cili quhet L. M., me anë të gëlltitjes së tabletave. Të gjitha shtatzënitë i kam pasur me kushëririn tim të parë, i cili quhet Mark V., pasi marrëdhëniet seksuale që kryente ai me mua ishin pa masa mbrojtëse. Rasti i fundit i abortit ka qenë rreth muajit janar të vitit 2014, ku unë kam bërë vizitë te Spitali Gjinekologjik Lezhë. Dua të sqaroj se unë kam shkuar te ky mjek pasi ishte i njohuri i shtetasit Mark V. dhe një person i panjohur për mua më ka pritur në Aeroportin e Prishtinës duke më thënë se jam shoku i Markut dhe do të dërgoj te spitali i grave në Lezhë për të abortuar. Sqaroj se pasi më la te dera e Maternitetit Lezhë, personi i panjohur u largua. Pas vizitës dhe ekos së kryer dhe kërkesës së Markut, pasi ishin të njohur, ai më dha përsëri tabletat për dështim, të cilat pasi i përdora më rezultuan me sukses. Theksoj se në të gjitha rastet e tjera që unë kam abortuar nën këshillën e mjekut, ka qenë i pranishëm shtetasi Mark V. Kam për të theksuar se Mark V. është njeri shumë i rrezikshëm dhe mua më ka shfrytëzuar në vazhdimësi për prostitucion si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, Zvicër, Greqi e Serbi dhe për këtë unë kërkoj që ky person të ndiqet penalisht sipas ligjeve në fuqi. Unë dhe familja ime jemi të kërcënuar prej tij, kryesisht pas kallëzimit të kryer nga ana ime.

DENONCIMI

Më datë 02.06.2014, unë duke mos e duruar gjithë këtë gjë që po më ndodhte, jam larguar nga Marku dhe kam shkuar në qytetin e Shkodrës. Doja të shkoja te një kushërirë e imja, pasi kisha frikë të shkoja në banesën e prindërve të mi. Duke mos ditur adresën e kushërirës sime, pasi unë nuk e njoh Shkodrën, kam fjetur në lulishte dhe të nesërmen jam nisur me një furgon me qëllim për të shkuar në Tiranë, por jam ndalur në Fushë¬ Krujë. Rreth orëve të pasdites jam takuar me një burrë të moshuar rreth 65 vjeç, të cilit i kam kërkuar ndihmë për të më strehuar pasi i kam thënë se jam ndarë nga i fejuari, sepse kisha turp për t’i treguar historinë time. Unë kam qëndruar në këtë familje për rreth njëmbëdhjetë ditë me pretekstin se po i largohem të fejuarit. Përmes telefonit të njërit prej familjarëve, unë kam komunikuar me numër të fshehur me Markun, ku i kam thënë se jam në Greqi dhe mos më kërko. Më datën 14.06.2014, rreth orës 13:00, Marku ka ardhur përsëri në Fushë¬Krujë te shtëpia në të cilën unë po qëndroja, është sjellë disa herë afër banesës me një motor dhe është larguar pa bërë ndonjë kontakt. Unë, duke pasur frikë se Marku më kishte zbuluar ku po qëndroja, jam përshëndetur me familjarët e tjerë dhe kam hipur në një furgon ku jam paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë për të bërë kallëzim në lidhje me të gjitha ato sa thashë më lart.

VLERESIMI I GJYKATES

I pandehuri Mark V. e ka trafikuar viktimën e tij, shtetasen M., për një periudhë 4¬vjeçare, e cila ka filluar nga fundi i vitit 2010 deri në qershor të vitit 2014. Ai e ka rekrutuar viktimën e tij nëpërmjet kërcënimit dhe ushtrimit të forcës. Pasi ka realizuar rekrutimin, i pandehuri e ka transportuar të dëmtuarën në Itali, duke e larguar atë nga shtëpia e prindërve të saj dhe nga të afërmit e saj (prindërit, motrat dhe vëllai i saj). Format dhe mjetet e përdorura nga të pandehurit kanë pasur si qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të së dëmtuarës. Si rrjedhim, e dëmtuara është shfrytëzuar si prostitutë prej të pandehurit. Ajo ka prostituuar në vendet e caktuara prej të pandehurit Mark V. në Itali, në Zvicër, por edhe në Shqipëri. Fitimet nga shërbimet seksuale të ofruara nga e dëmtuara i merrte i pandehuri Mark V. Vepra penale është kryer në rrethana cilësuese prej të pandehurit. I pandehuri Mark V. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarës me qëllim që ajo të ushtronte prostitucion për llogari të të pandehurit. I pandehuri, sjelljet e dhunshme i ka shfaqur edhe ndaj familjarëve të të dëmtuarës, që njëherësh janë edhe të afërmit e tij. Gjatë periudhës së trafikimit, e dëmtuara ka mbetur shtatzënë në disa raste. Ajo ka qenë e detyruar nga i pandehuri të abortojë. Vendi në të cilin e dëmtuara ka abortuar ka qenë Spitali i qytetit të Lezhës.