Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 16:29

Shaban Terziu, i cili thotë se ka shërbyer si këshilltar i forcave amerikane të KFOR-it, tregon se janë disa lokalitete në Anamoravë ku dyshohet se ka pasur dhunime masive, por që asnjëherë nuk janë hetuar apo bërë publike.

Terziu thotë se vendet me gjurmë gjaku, këpucë e rroba intime të femrave shqiptare ku ai ka parë me sytë e tij së bashku me KFOR-in janë incizuar në Kooperativën Bujqësore në Zhegër, në shkollën e Muqibabës, në një shtëpi private në Radivojc dhe në një tjetër shtëpi shqiptare tek penda e Livoçit në Gjilan. 

Shoqëruesi dhe këshilltari i ushtarëve amerikanë të KFOR-it, Shaban Terziu, pas 15 vitesh, ka vendosur të rrëfejë për disa ngjarje e situata që i ka parë me sytë e tij menjëherë pas luftës.

Thotë se është i brengosur për faktin se gjurmët e shumta të dhunës serbe, që janë gjetur në vende të ndryshme në Anamoravë, nuk janë hetuar e as zbuluar asnjëherë.

Terziu tha se ai, së bashku me një njësit të KFOR-it amerikan,ishte dëshmitar në qershor të vitit 1999 kur ka parë gjurmë gjaku, rroba të brendshme të femrave shqiptare, këpucë, barna-mjete për stimulim.

Këto skena krimi Terziu thotë se i ka parë në Kooperativën Bujqësore në Zhegër.

”Aty kemi parë veshje të shumta të femrave shqiptare, këpucë, gjurmë të gjakut kudo dhe barna për stimulim e qetësim në gjuhën serbe”, tha ai për rajonipress.

Terziu thotë se të gjitha këto skena e dëshmi janë incizuar nga KFOR-i dhe i janë dërguar komandës kryesore në Bondstell.

Një vend tjetër, Terziu së bashku me majorin e KFOR-it amerikan Dentoan Chriss, e ka parë edhe në shkollën e Muçibabës.

”Në shkollën e Muçibabës kemi gjetur veshje intime të vajzave shqiptare, pije alkoolike dhe gjurmë gjaku. Aty ka pasur dhunime masive, por nuk e kam të qartë pse asnjëherë nuk u hetuan këto dyshime” tha Terziu.

Gjurmë të krimit dhe dhunimit Terziu i ka parë edhe në një shtëpi private në Radivojc të Vitisë.

“Ajo shtëpi ishte shfrytëzuar nga rezervistët dhe paramilitarët serb të cilët kishin lënë shenja gjaku nëpër muret e dhomave”, tha ai.

Në rastin tjetër Terziu thotë se ka parë gjurmë gjaku dhe rroba të brendshme në një shtëpi shqiptare afër Pendës së Livoçit.”Edhe këtu kemi parë barna për stimulim dhe qetësim dhe këpucë femrash e rroba të shumta”, tha Terziu./rajonipress/