Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 17:30

Prishtinë – Marte Tunaj është gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës. Ajo tani ka 65 vite dhe merr një ndihmë prej 96 eurove. Është e befasuar se si tani pas 15 vitesh ende Qeveria, Parlamenti dhe deputetet kanë hamendje se a duhet apo jo të ndihmohet kjo kategori. Po më vije turp kur po i shoh tek shtyhen se a ka apo jo buxhet për të kompensuar gratë edhunuara shprehet ajo për Rajonipress.
Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova është e martuar në Verban të Vitisë dhe ka një histori interesante. Ajo më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Milos Jokic ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti.

Në veçanti deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokici ishte aq e guximshme dhe trimëruese saqë Jokic urgjentisht nga forcat e KFOR-it ishte arrestuar.

Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t’i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokicin.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokicin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokici. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund” rrëfen ajo për Rajonipress.

Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fala Kosovës, djalit tim Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo së bashku me burrin e saj Vebih Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo dhunohet nga paramilitarët serb.

Martja tani ka 65 vite dhe merr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjellë me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk i vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. “Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara”, shprehet Martja.

Ajo thotë se gjatë luftës së fundit e ka fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzon mbi 80 euro vetëm për barna.

“Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”, thotë ajo e revoltuar.

Martja thotë se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuaraqë shteti të mendoj dhe të bëjë të pamundurën që tua mundësojë një pagesë dinjitoze.

“Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretman të ndryshëm mjekësore”, shprehet ajo.

Ndryshe Marte Tunaj është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Milosh Jokicit.

Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokic ishte dënuar me 20 vite burgim.

Në gjykimin kundër Milosh Jokicit patën dëshmuar 40 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse.

Milos Jokic sipas Marte Tunajt më 30 maj 1999 nën kërcënimin e thikës ka kryer marrëdhënie seksuale. Jokic ishte i armatosur deri në dhëmbë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më qoi në kuzhinë ku më urdhëroi të zhvishem. Refuzova me tërë forcën time , por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës, kreu marrëdhënie seksuale”, kishte rrëfyer Tunaj.