Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:40

Tiranë- Rotacioni i pushtetit në Tiranë do të shoqërohet edhe me një rotacion të ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë. Janë të paktën 7 ambasadorë që tashmë e kanë përfunduar misionin e tyre diplomatik në Shqipëri dhe janë në pritje të zëvendësimit nga vendet e tyre respektive, ç’ka do të thotë se nga shtatori e tutje qeveria “Rama” do të duhet të bashkëpunojë me të tjerë diplomatë të shteteve mike.

I pari në “top-listën” e ambasadorëve që janë në pritje për të lënë “de jure” vendin tonë është Aleksandër Arvizu, përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Tiranë. Sikundër është bërë tashmë e ditur ai do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Donald Lu, që aktualisht shërben si ambasador në Nju Delhi, Indi. Lu u bashkua me Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara në vitin 1990 dhe ka mbajtur poste në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgistan, Azerbajxhan dhe Uashington, shkruan Gazeta Shqiptare. 

Më parë ai është emëruar Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Nju Delhi, ku ka shërbyer si i ngarkuar me punë dhe Zëvendës Shefi i Misionit për ambasadorin e SHBA në Azerbajxhan nga 4 korrik 2009 deri në korrik 2010, kur zyra e ambasadorit në Azerbajxhan nuk kishte qenë e plotësuar ende. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, përfundoi vetëm 4 ditë pas zgjedhjeve mandatin e tij 3-vjeçar në Shqipëri. Pasuuesi i tij në këtë post do të jetë, Florian Raunig nga Austria. Ai do ta marrë detyrën më 1 tetor 2013. Ambasadori Raunig është lindur në vitin 1967 në Bazel të Zvicrës. Ai është një diplomat karriere dhe ka shërbyer më parë si Ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ambasadori Raunig ka studiuar për shkenca politike, filozofi dhe drejtësi dhe është diplomuar pranë Universitetit të Vjenës. Flet rrjedhshëm gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht dhe italisht. Është i martuar dhe ka dy vajza. Deri në tetor 2013, Zëvendës Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Ëilton do të vazhdojë të jetë Kryetari i saj në detyrë. Në 1 korrik 2013, misionin e saj diplomatik në Tiranë e ka përfunduar edhe ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, Carola Müller-Holtkemper. Ende nuk dihet se kush do ta pasojë atë në këtë detyrë.

Gjithashtu edhe ambasadorët e Maqedonisë (Vele Trpevski) dhe Estonisë (Andres Talvik) i kanë përfunduar mandatet e tyre diplomatike, respektivisht në datën 22 korrik 2013. Dy ditë më vonë, ka përfunduar mandatin e tij në Tiranë edhe ambasadori i Palestinës, Issam Massalha. Ndërkohë që pritje të largimit nga Shqipëria është edhe përfaqësuesja e Bankës Botërore, Kseniya Lvovsky. Nga vendet e tyre respektive ende nuk janë bërë të ditura emrat e pasardhësve.

AMBASADORËT E HUAJ QË KANË MBARUAR MISIONIN E TYRE DIPLOMATIK NË SHQIPËRI
AMBASADORI I SHBA
Aleksandër Arvizu (Zëvendësohet nga Donald Lu)
AMBASADORI I OSBE
Eugen Volfart (Zëvendësohet nga Florian Raunig)
AMBASADORJA E GJERMANISË
Carola Müller-Holtkemper
PËRFAQËSUESJA E BANKËS BOTËRORE
Kseniya Lvovsky
AMBASADORI I MAQEDONISË
Vele Trpevski
AMBASADORI I ESTONISË
Andres Talvik
AMBASADORI I PALESTINËS
Issam Massalha