Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 07:38

Prishtinë – Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini, në një takim qe zhvilloi sot me kryeparlamentarin kosovar Jakup Krasniqi, theksoi se në parlamentin italian ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën.

“Ne kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament”, theksoi Fini në pritjen për delegacionin e parlamentit kosovar, i cili ka filluar sot vizitën zyrtare në Itali.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, Fini vlerësoi vizitën si “shumë e qëlluar dhe do t’i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve”.

Gianfranco Fini theksoi se Parlamenti i Italisë i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit të Kosovës me vendet e rajonit dhe në këtë rrafsh, ai vlerësoi rëndësinë e dialogut me Serbinë.

Duke folur për situatën që Kosova ka kaluar në 6-mujorin e fundit, ai theksoi se për Kosovën dhe institucionet e saj reformat janë më se të nevojshme dhe do të ndihmojnë në procesin e integrimeve evropiane.

Me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe arritjet në Kosovë, Krasniqi e ftoi kryetarin Fini për një vizitë zyrtare në Kosovë. Bëhet e ditur se të dy kryetarët ranë dakord për formimin e grupeve parlamentare të miqësisë për të cilën do të fillojnë menjëherë procedurat.

Në vazhdim të vizitës në Itali, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të ketë takime me autoritete të tjera italiane.