Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 16:05

Hagë – Tribunali i Hagës ka demantuar sot mediat në Beograd se gjatë proceseve gjyqësore ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj e Ramush Haradinajt janë vrarë dëshmitarë.

“Asnjë person nga lista e dëshmitarëve apo atyre që gjykata ndërkombëtare i ka zgjedhur për masa mbrojtëse në këto dy lëndë, nuk është vrarë”, ka thënë përfaqësuesja e Tribunalit, Nerma Jelaçiq, duke iu përgjigjur prokurorit serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, i cili javën e kaluar ka thënë për gazetën “Kurir” të Beogradit se “mbi 40 dëshmitarë në procesin Haradinaj dhe Limaj janë vrarë ose kërcënuar”.

Ajo ka thënë, përmes një letre, se “janë absolutisht të pavërteta pohimet për vrasjen e dëshmitarëve të Tribunalit gjatë kohës së gjykimit të Haradinajt dhe Limajt”.

Në pohimet e medieve serbe se masat mbrojtëse nuk janë aplikuar ndaj dëshmitarit kyç në rastin Haradinaj, Shefqet Kabashit, Jelaçiq ka thënë se Kabashi publikisht i ka refuzuar masat mbrojtëse, të cilat ia kanë caktuar në gjykimin e parë të Haradinajt, në korrik 2007.

Ndryshe, Radio Netherlands Worldwide thotë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, së shpejti do të jetë i lirë. Sipas këtij burimi, Haradinaj s’ka mundur të rëndohet për asnjë krim. (LajmeShqip.com)