Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 19:18

Tiranë – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, duke iu referuar procesit të zgjedhjes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, tha të hënën se KQZ i mbijetoi një procesi të vështirë me kompetencë dhe profesionalizëm.

Në fillim të mbledhjes së sotme, ku Komisioni Zgjedhor pritet të miratojë projekt-vendimin për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak për Bashkinë Tiranë, Ristani përshëndeti vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor, të cilat i konsideroi ligjore dhe konfirmuese për vendimet e marra më parë nga vetë KQZ.

“Kishim të bënim me një proces ku transparenca ishte e shkëlqyer. Sigurisht për më skeptikun në këtë vend ky proces tregoi se shteti ligjor funksionon”, tha Ristani.

Gjatë diskutimit në parim të projektvendimit për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridian Salianji, tha se kjo tabelë nuk mund të miratohet pasi ajo nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve. “Nuk mund ta realizoni miratimin e kësaj tabele, pasi në asnjë pjesë të saj nuk duket vullneti i zgjedhësve”, tha ai.

Sipas tij, KQZ nuk arriti të përputhte vullnetin e votuesit me fletën e votimit, sepse po të bëhej kjo, do të dilte në pah manipulimi i bërë. “Ju nuk bëtë detyrën që kishte ngarkuar vendimi i Kolegjit Zgjedhor që të miratonit tabelën për çdo qendër votimi se aty do të dilte manipulimi dhe mospërputhja mes fletëve të votimit dhe numrit të votuesve”, tha Salianji.

Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, i ftoi anëtarët e KQZ-së të miratojnë projekt-vendimin e paraqitur në mënyrë që bashkia e Tiranës të fillojë sa më parë nga puna.

“Qyteti ka probleme të shumta, ndaj ftoj opozitën që me përgjegjësinë e detyrës qytetare të miratojnë aktin e paraqitur”, tha Kosovrasti.