Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 12:03

Tiranë – Reparti për Inspektim dhe Shpëtim i Minierave ka kërkuar pezullimin e punës për 10-të ditë në minierën e kromit në Bulqizë, në galeritë të cilat administrohen nga ACR.

RISHM ka argumentuar se këto masa janë marrë për shkak të pranisë jashtë normave të lejuara të hidrogjenit, e cila, sipas specialistëve të këtij reparti, paraqet rrezik për shëndetin e minatorëve.

Këta të fundit janë shprehur të kënaqur me rezultatet që ka paraqitur RISHM, dhe po presin të përcaktohen edhe përgjegjësit e aksidentit, që më tej të marrin vendimin për rifillimin ose jo të punës.

Ndërkaq ACR, është gjobitur një ditë më parë nga RISHM me shifrën 500 mijë lekë për neglizhimin e rregullave të sigurimit teknik, pasi sipas këtij reparti, shkak për shpërthimin e ndodhur ditë më parë në nivelin e 16-të minierës, pusi 2, ku humbi jetën minatori Naim Shyti, dhe u plagosën 8-të tjerë, erdhi si rrjedhojë e pranisë së hidrogjenit tej normave të lejuara, e cila ka mjaftuar për të shkaktuar shpërthimin.