Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 18:31

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votoi sot me 4 vota pro dhe 2 kundër, kërkesën e PD-së, e cila e konsideron të pavlefshëm votimin në komunën Shalë, të Qarkut të Shkodrës.

Sipas kërkesës së përfaqësuesve të PD-së, në zgjedhjet e fundit më 21 gusht në në qendrën 0119, kishin votuar dy banorë të komunës që nuk ishin në listën e zgjedhësve por që kishin marrë pjesë në votim me vendim Gjykate.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës në Komision, e kundërshtuan këtë pretendim, me arsyetimin që banorët kanë votuar në bazë të vendimit, të institucioneve të drejtësisë.

Në këto kushte, kërkesa e komisionerëve të djathtë nuk mori  fuqi vepruese, pasi votimi kërkon 5 vota të anëtarëve të KQZ-së.

Partia Demokratike paraqiti pranë Kolegjit, kërkesën ankimore për pavlefshmëri në komunën Shalë, ku pas numërimit të votave në KQZ, kandidati i PS-së u shpall fitues me 2 vota më shumë se ai i i së djathtës.

Ndërsa mbetet ende i pambyllur rezultati zgjedhor për komunën e Shalës, Partia Demokratike pritet ta rikthejë në fillim të javës së ardhshme, ankimin e saj në Kolegjin Zgjedhor.

Në zgjedhjet e zhvilluara në 21 gusht në komunën Shalë, Partia Socialiste arriti që të fitonte me kandidatin e saj Balë Vuksani me 644 vota, kundrejt 642 votave të Dedë Tonaj nga koalicioni i djathtë.

Me përfundimin e ankimimit për këtë zonë, pritet që KQZ-ja, të shpallë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit në vend.