Lajme Shqip Sunday, 16 August 2015 19:44

Janë rikthyer sërish kolonat dhe pritjet në pikën kufitare në Merdar.

Por, gjatësia e autokolonës në mesditë është reduktuar, për dallim nga dje dhe në mëngjesin e së dielës, ku ishte rreth një kilometër e gjatë, raporton KTV.

Qytetarët që e kanë zgjedhur pikëkalimin në Merdar për t’u kthyer në shtetet perëndimore ku jetojnë dhe veprojnë, është dashur të presin një deri në dy orë.

Pikërisht për këtë situatë të krijuar nëpër pikëkalimet kufitare, disa janë detyruar që një ditë më herët t’i ndërpresin pushimet në vendlindje.

Kolonat, sipas policisë, po krijohen për shkak të fluksit të madh të automjeteve për të dalë nga Kosova, dhe plotësimi i dokumentacioneve për kalimin e kufirit po u merr kohë.

Sipas policisë, në pikat kufitare: Dheu i Bardhë, Mutivodë dhe Muqibabë nuk ka kolona dhe pritje të gjata, përcjell koha.net. E derisa bashkatdhetarët largohen nga Kosova, ata prapa i lënë të gjitha mbeturinat që i kanë krijuar gjatë pritjes në kolonë.