Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 13:23

TIRANË- Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker ka dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare në mbyllje të vizitës së tij në Tiranë. 

Në takimin e fundit të tij, me kryesocilistin Rama, Reeker është shprehur se javët në vazhdim janë kritike për Shqipërinë dhe aspiratat e saj. Kalimi i ligjit për heqjen e imuniteti, miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë por edhe atij të Reformës Parlamentare, për SHBA, sic tha Reeker, është rruga në të cilën duhet të ecë Shqipëria. “Falenderoj Ramën që më takoi të dielën. Jam tejet i kënaqur që e vizitova Shqipërinë, takova një sërë njerëzish dhe dëgjova larmishmëri pikëpamjesh si dhe ndava me këta njerëz pikëpamjet për të ecur përpara. Besoj se kam pasur takime shumë konstruktive këtu në Tiranë. Në zgjedhjet e ardhshme sic e kam thënë, Washingtoni do ju ndjekë nga shumë afër, presim të zhvilloni zgjedhje demokratike, të keni institucione demokratike. Mund të them se javët e ardhshme janë kritike, për të demonstruar arritjet e reformave. Parlamenti ka mundësinë e tij që të mund të ndikojë në mënyrë pozitive progres raportin e BE, kalimi i ligjit të Gjykatës së Lartë, imuniteti, rregullorja e Kuvendit tregojnë hapat e rëndësishëm për të ardhmen e saj”, tha i dërguari i SHBA. 

Reeker theksoi ndër të tjera se me Ramën ka diskutuar edhe në lidhje me “marrëdhëniet e forta dypalëshe Shqipëri-SHBA,, për integrimin euroatlantik të vendit, përparimin e bërë që gushtin e shkuar, si dhe zgjedhjet si në SHBA, por edhe këtu në vendin tonë”, tha ai.

Ndërsa kreu i PS, Rama gjatë fjalës së tij para selisë rozë, e cilësoi vizitën e të dërguarit të SHBA, si konfirmim të vëmendjes e respektit për Shqipërinë. “Ishte kënaqësi e veçantë të mirëprisnim në selinë tonë një përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Ne çmojmë vizitën e tij si shprehje të vëmendjes respektit dhe miqësisë që lidh popujt dhe vendet tona”, tha Rama.

Sipas liderit të opozitës, në këtë takim, “Konfirmuam bazën solide të partneritetit dhe qëllimet e përbashkëta për perspektivën e vendit dhe të rajonit, lidhur me familjen europiane. Së treti u fokusuam tek perspektiva demokratike dhe europiane e vendit, shprehëm idetë për progresin e vendit, qoftë në drejtim të BE, qoftë në drejtim të standardeve demokratike”, shtoi ai. (LajmeShqip.com)