Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 16:04

Tiranë – Rihapja e debatit për votën e presidentit ka ngjallur dhe reagimin e administruesve të votave në KZAZ-në numër 53, në shkollën “Servete Maci”.
Në një deklaratë për mediat, Berti Çoku, kryetar i kësaj KZAZ-je, tha sot se votat janë administruar në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor.
“Zoti President, vota juaj për Edi Ramën është shprehja e vullnetit tuaj, por përpjekja juaj për të fshehur të vërtetën e votës tuaj, duke akuzuar njerëzit e ligjit për interesa personale, është shumë e rëndë”, deklaroi ai.
Duke vënë në dukje se zbatuam ligjin dhe kodin zgjedhor, kryetari i KZAZ-së 53, Berti Çoku, duke iu drejtuar kreut të shtetit, u shpreheh se përfaqësuesit e kësaj KZAZ-je kanë publikuar dhe procesverbalin e firmosur nga të gjithë anëtarët e saj.     
“Ndaj dhe ju zoti President, dilini zot votës tuaj, dhe mos përsërisni akuzat e Ramës ndaj njerëzve të ligjit, sepse kështu vetëm sa komprometoni shumë rëndë pozicionin tuaj si kryetar i shtetit”, theksoi Çoku.
“Vota e qytetarëve dhe e juaja zoti President, nga ne janë administruar me korrektësi ligjore. Interpretimet e tjera janë meskinitet amorale dhe të padenja për pozicionin tuaj”, përfundon deklaratën për mediat Berti Çoku.
Presidenti Bamir Topi reagoi dy ditë më parë, duke deklaruar se “çdo tentative për interpretimin e votës, nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave dhe me skenarët e parapërgatitur nga autoret e këtyre inskenimeve”.