Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 15:13

Tiranë-Kompania e naftës Albpetrol ndryshon strukturën e saj. 874 persona humbin vendin e punës, por do të trajtohen financiarisht edhe një vit pas shkëputjes së kontratës. Rekrutimet e punonjësve të rinj do të bëhen me konkurs, ndërsa punonjësit ekzistues do ti nënshtrohen testit për mbrojtjen e vendit të punës. Këto janë vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë Albpetrol, e cila ka miratuar dje strukturën e re. Sipas njoftimit zyrtar të Albpetrol, struktura e re e shoqërisë është e bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe udhëzimet e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë. “Struktura e re e shoqërisë do të ketë 1868 punonjës dhe ky numër punonjësish parashikohet të arrihet nga Albpetrol sh.a. brenda tremujorit të parë të vitit 2014, pasi edhe procedura përkatëse kërkon zbatimin e disa afateve kohore. Riorganizimi i Shoqërisë është rakorduar edhe me drejtuesit e Qendrave të Albpetrol sh.a. dhe specialistët e Burimeve Njerëzore të qendrave përkatëse”, thuhet një njoftimin e bërë publik nga Albpetrol. Pas negociatave të kryera me vetë punonjësit janë miratuar listat për punonjësit që përfitojnë trajtim sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe, 874 punonjës kanë përfituar trajtimet përkatëse. Për të gjithë punonjësit pagesa do të kryhet maksimalisht në 4 këste.

Shpërblime për punonjësit

Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Albpetrol sh. a, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, ka vendosur mënyrën e trajtimit të punonjësve që do të dalin të papunë e si pasojë e ristrukturimit do të përfitojnë shpërblim për një vit, pagë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës. Punonjësit do të përfitojnë edhe shpërblim për vjetërsi pune. Ky shpërblim është të paktën sa paga e një 15-ditëshi mbi çdo vit pune të plotë që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimin për vjetërsi e përfitojnë punonjësit aktualë të Shoqërisë që janë në marrëdhënie pune me këtë shoqëri jo më pak se tre vjet pa ndërprerje. si vjetërsi në punë do të llogaritet harku kohor data nga data e themelimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, 08 prill 1999.

Emërimet e reja

Shoqëria Albpetrol sh.a do të nisë tes-timin e të gjithë punonjësve të emëruar gjatë tre viteve të fundit. Qëllimi i këtij testimi është identifikimi i punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të kryer proceset e punës në vendin ku janë emëruar. Rezultatet e testimit do të bëhen publike në përfundim të tij. Ndërsa punonjësit e ri do të bëhen pjesë e stafit të kompanisë vetëm pasi ti jenë nënshtruar konkursit dhe tëkenë dalë fitues prej tij.

Pezullimet

Kompania Albpetrol sh.a, në fund të muajit të shkuar ka pezulluar nga puna të gjithë punonjësit e drejtorive që kanë për detyrë të monitorojnë dhe kontrollojnë marrëveshjet e hidrokarbureve me palët e treta. Në total janë pezulluar rreth 35 punonjës, pasi gjatë kontrollit janë gjetur shkelje që lidhen kryesisht me mungesën e monitorimit të kontratave. Kompanitë me të cilat ishin lidhur këto kontrata janë: Bankers Petroleum; Stream Oil; Sherëood; Transoil dhe Phoenix. Katër nga kompanitë e sipërcituara kanë deklaruar shpenzime që arrijnë deri në vlerën 1.5 miliardë dollarë, por nuk kanë dorëzuar asnjë faturë në Albpetrol për të justifikuar shpenzimet në fjalë. Të gjitha këto janë kontrata koncesionare të lidhura me shtetin shqiptar. Rreth 20 nga punonjësit e pezulluar janë supervizorë që kanë si detyrë monitorimin në terren të kontratave dhe investimet e kompanive, detyrë të cilën nuk e kanë kryer. Madje nuk ishin as të pajisur me rroba pune për të bërë kontrollin në terren, veshje të posaçme për të hyrë në kantier./shekulli/