Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 15:53

TIRANE – Dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të dorëzojnë zyrtarisht të hënën në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame.

Rezoluta përmban 13 pika, të cilat, siç nënvizon PDIU, mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar.

Në realcionin shpjegues, PDIU thekson se rezoluta kërkon që në përputhje me nenin 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të së drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë, dikur shtetas grekë. Për këtë duhet bërë abrogimi shprehimisht i Ligjit të Luftës dhe jo Gjendjes së Luftës e cila nuk ekziston normalisht që me vendosjen e Marrëdhënieve diplomatike në 1971, e sanksionuar dhe më vonë me vendimin e Qeverisë Papandreu në 1987. 
Rezoluta i kërkon qeverisë që nëpërmjet kontakteve diplomatike ta parashtrojë këtë kërkesë duke aktivizuar dhe instrumentet që dikur funksiononin, siç kanë qenë komisionet dypalëshe. Këto Komisione duhet të identifikojnë ato akte ligjore, apo administrative që bien në kundërshtim me Traktatin e miqësisë dhe Konventën Europiane. 

13 pikat e Rezolutës
1. Rezoluta njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4.Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5.Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.(B.W)