Lajme Shqip Thursday, 13 December 2012 13:44

STRASBURG– Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën për Shqipërinë.

Shqipërisë mund t’i jepet statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian pa vonesë, me kusht që ajo të plotësojë reformat kyçe në administratën gjyqësore, publike dhe  në funksionimin e parlamentit.

“Ne duhet të ofrojmë stimuj për Shqipërinë dhe popullin e saj. Megjithatë, BE-ja duhet të marrë një qëndrim të rreptë kundër deklaratave nacionaliste të tilla si ato të kohëve të fundit nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Të gjithë duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione rajonale”, tha Nikolaos Chountis, raportues për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Parlamentarët e pranojnë se dialogu konstruktiv politik në Shqipëri ka qenë një faktor i rëndësishëm në arritjen e progresit në dymbëdhjetë prioritetet kyçe të rëna dakord me BE-në, veçanërisht, funksionimi i duhur i parlamentit dhe emërimi i avokatit të popullit. Megjithatë, ata theksojnë se roli mbikqyrës i parlamentit duhet të përmirësohet më tej.

PE nga ana tjetër është e shqetësuar në lidhje me përparimin e ngadaltë të Shqipërisë me reformën gjyqësore, për të cilin është thënë se duhet të jetë një proces i pakthyeshëm. Eurodeputetët insistojnë në pavarësinë, integritetin dhe transparencën e gjyqësorit, të lirë nga ndërhyrjet politike dhe korrupsioni. Ata gjithashtu theksojnë rreziqet e politizimit të administratës publike dhe luftën e pamjaftueshme kundër korrupsionit.

Zgjedhjet parlamentare 2013, test pjekurie

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm për pjekurinë e demokracisë shqiptare, thonë deputetët, të cilët kërkojnë nga të gjitha partitë politike që të demonstrojnë angazhimin e tyre për një fushatë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet do të testojë aftësinë e të gjitha forcave politike në nisjen e një axhende europiane të përbashkët.

Progresi në mbrojtjen e minoriteteve

Europarlamentarët  e njohin progresin e bërë në drejtim të mbrojtjes së pakicave, por kërkojmë më shumë, në mënyrë që të sigurohen këto të drejta për të gjithë, jo vetëm për pakicat kombëtare.

Të drejtat e grave, fëmijëve dhe njerëzve të rrezikuar duhet të sigurohen. Po ashtu duhet luftuar diskriminimi ndaj lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualë (LGBT) dhe personave romë, thonë deputetët, duke e vënë theksin tek nivelet e larta të dhunës në familje, prostitucionit të detyruar dhe trafikimit të grave dhe fëmijëve .

Reformat ekonomike dhe sociale

Shkalla e papunësisë në Shqipëri dhe numri i shqiptarëve që jetojnë nën vijën e varfërisë, është një çështje e shqetësim i madh për eurodeputetët. Ata gjithashtu i rekomandojnë Shqipërisë që të kryej reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, dobësimi i të cilit e bën të vështirë zbatimin e kontratave dhe po pengon investimet, si dhe për të adresuar çështjen e të drejtave të pronësisë.(LajmeShqip.com)