Lajme Shqip Wednesday, 20 February 2013 14:46

TIRANË -Komisioni i Jashtëm nisi sot shqyrtimin e Rezolutës Çame, dorëzuar në Kuvend në 10 dhjetor nga kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe deputeti Dashamir Tahiri.

Ne fjalen e tij, Idrizi ftoi anëtarët e komisionit të bëhen pjesë e zgjidhjes së padrejtësisë që i është bërë çështjes çame.
“Ne të nderuar parlamentarë, s’mund të bëjmë strucin para egzistencës së një problemi kaq të madh. Ne nuk mund të mbyllim kapitullin e një krimi kaq të madh dhe të freskët në marrëdhëniet tona. Nuk mund të mohojmë një tragjedi kaq të madhe me afro 5 mijë të vdekur. Me vdekjet më të tmerrshme që nuk janë imagjinuar as nga industria hollivudiane. Por ne duam të cojmë në vend një amanet që nuk mund të shtyhet dot më dhe injorohet dot më për shkak se politika dominonte e kishte braktisur atë. Ne nuk mund të heshtnim e mos reagonim kundër asaj pjese të politikës që u fsheh turpshëm kur u paraqit një tekst i Rezolutës në vitin 2004. Unë besoj se as ju kolegë do të dëshironi të njëjtën gjë si paraardhësit, të iknim të gjithë në shtëpitë tonë e të takonim elektoratin tonë duke iu shmangur këtij detyrimi historik sic është ky detyrim historik, sic është miratimi i një Rezolute për Camërinë. Kjo rezolutë është historike sepse tenton të ofrojë platformën më të qartë për të zgjidhur jo thjesht cështjen came, por për atëe të pabarazisë që ekziston me fqinjin tonë jugor. Nëse ju jeni dakort me këtë fabul, atëhere hidheni poshtë këtë projektrezolutë, nëse ju pranoni fabulën greke se shqiptarët i kanë sulmuar grekët gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëhere mos e miratoni këtë projekt/rezolutë ”, tha Idrizi.

Rezoluta
Shqyrtimi i saj në komision vjen, pasi më 22 janar kjo rezolutë u fut në axhendën e Komisionit Parlamentar të Jashtëm ku janë përzgjedhur edhe dy relatorët e draftit Qemal Minxhozi nga Partia Socialiste dhe Fatbardh Kadilli nga Partia Demokratike.

Rezoluta Çame kërkon që në përputhje me nenin 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të të drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë.

Sipas rezolutes duhet bërë abrogimi shprehimisht i Ligjit të Luftës dhe jo Gjendjes së Luftës, e cila nuk ekziston normalisht që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në 1971, e sanksionuar dhe më vonë me vendimin e Qeverisë Papandreu në 1987.(LajmeShqip.com)