Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 12:55

TIRANE -Komisioni i Punëve të Jashtme fut në procedurë rezolutën Çame.
Relatorë të Rezolutës janë caktuar Fatbardh Kadilli dhe Qemal Minxhozi. Gjatë muajit dhjetor projekt/rezoluta Came u depozitua në Kuvend nga Partia për Drejtësi dhe Unitet.

Në draftin e përbërë nga 13 pika, renditet kërkesa drejtuar qeverisë greke dhe institucioneve shqiptare lidhur me rikthimin e pronave të çamëve në Greqi, si dhe shfuqizimin e ligjit të luftës së vitit 1940 i shpallur me dekret mbretëror, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare.

Gjithashtu, PDIU-ja me anë të kësaj rezolute kërkon që dy qeveritë të riaktivizojnë komisionet e posaçme dypalëshe, të dala nga traktati i fqinjësisë së mirë për të përpunuar zgjidhjen e çështjes çame, si dhe të ngrihen në Paramithi e Filat dy lapidarë “që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke”.

Pika e fundit e saj ka të bëjë me të drejtën e palës shqiptare për t’iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare, nëse Greqia i refuzon këto kërkesa.
Idrizi
Pasi Komisioni i Jashtëm vendosi marrjen në shqyrtim të Rezolutës Came, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh i bindur se partitë do e votojnë.
“Rezoluta për zgjidhjen e cështjes Came do të votohet nga të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar. Kjo është arsyeja pse u jemi drejtuar atyre në mënyrë nominale dhe jam i bindur bazuar nga të gjitha kontaktet që kemi nga të gjithë krahet politikë, kjo Rezolutë, si një e drejtë e mohuar dhe e munguar e një pjesë të shqiptarëve, do të kalojë në parlamentin shqiptar.
Por një pikë e Rezolutës e panegociueshme do të thoja është ajo e heqjes së ligjit të luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, si një akt atavist, heqja e të cilit do të ndihmonte që të dy vendet të ishin vërtet dy vende të fqinjësisë së mirë. Kjo jo thjesht e vetëm se afekton pronat e gjithë shqiptarëve, jo vetëm pronat e camërisë, por kini parasysh që shqiptarët kanë qenë pronarë të mëdhenj edhe në Follorinë edhe në Kostur, Janinë edhe në Selanik”, u shpreh Idrizi në një prononcim për mediat.(LajmeShqip.com)