Lajme Shqip Sunday, 16 December 2012 16:11

Tiranë – Shoqata “Camëria” zgjodhi ish-presidentin Alfred Moisiu për të kryesuar listën e atyre shqiptarëve që do të firmosin peticionin, i cili i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të miratojë sa më shpejt projekt-rezolutën e dorëzuar në Parlament nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.

Duke firmosur i pari këtë peticion, ish-presidenti Moisiu e konsideroi miratimin e kësaj rezolute si çështje të të drejtave të njeriut që nuk duhet trajtuar nga këndvështrimi nacionalist.
 
“Duhet luftuar me këmbëngulje sepse kjo është e drejta jonë, e drejta e njerëzve që kanë banuar dhe kanë origjinën nga Camëria dhe nëse flasim për të drejtat e njeriut, ky është një aspekt i rëndësishëm dhe një tregues shumë i madh”, u shpreh Alfred Moisiu.

Projekt-rezoluta e deputetëve çamë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri përmban 13 pika, ku bie në sy kërkesa për shfuqizimin e ligjit grek të luftës së vitit 1940, i cili mban në sekuestro konservative pasuritë e shqiptarëve. (T.CH)