Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 11:19

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, në një intervistë të dhënë sot për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar marrjen e pikës doganore 1, në Jarinje, nga Policia e Kosovës, pas pikës 31, në Bërnjka.

“Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është e qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se njësitë speciale të policisë, do të qëndrojnë në veri deri sa të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierë.

Ai ka thënë se futja nën kontroll e pikës 31 është bërë nën të ashtuquajturin Planin B. Rexhepi, njoftoi, gjithashtu se gjatë aksionit, një polic është lënduar me një mjet shpërthyes, dhe dy-tre të tjerë janë lënduar nga hedhja e xhamave dhe gurëve, prej anës së serbëve locale, duke e quajtur këtë si dëm minimal.
Rexhepi ka thënë se me këtë veprim, po mundësohet që të zbatohet plotësisht vendimi i qeverisë për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Pikat kufitare 1 dhe 31, në të cilat nuk është vendosur dogana që nga viti 2008, janë parë si pengesa kryesore e zbatimit të reciprocitetit, meqenëse kamionët serbë kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të pakontrolluar.