Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 07:53

Prishtinë – Situata në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri vazhdon të jetë e qetë. Kështu ka deklaruar mbrëmë Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai ka bërë të ditur se Jarinja është e bllokuar për automjete të rënda dhe se aty bëhet vetëm lëvizja e qytetarëve nën kontroll të rreptë. Kurse, në pikën 31 funksionon dogana dhe policia kufitare e Kosovës.

“Kjo është çështje e KFOR-it dhe KFOR-i ka përmbajtje maksimale. Protestuesit keqpërdorin mirësinë e KFOR-it, ata vendosin gra, fëmijë e klerikë fetarë para barrikadave në mënyrë që t’i shmangin nga veprimet, dhe sa do të zgjatë ky durim i KFOR-it është çështje e tyre”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se barrikadat e serbëve janë pengesë reale për furnizimin e KFOR-it në kampin ‘Nothing Hill’ te Leposaviqi.

Sipas tij, policia në këto raste nuk përzihet për arsye se përgjegjësinë e kanë KFOR-i dhe EULEX-i, ndërsa nëse një gjë e tillë kërkohet nga policia, ajo do të jetë e gatshme.

“Policia e Kosovës në këto raste nuk përzihet për arsye se e kanë marr përgjegjësinë KFOR-i dhe EULEX-i, dhe pengesa është kryesisht për atë, nëse kërkohet prej policisë ne jemi të gatshëm, por në këtë rast nuk ka pasur kërkesë për policinë, ndërsa ne kur i marrim intervenimet tona i bëjmë vetë ose kërkojmë ndihmën e KFOR-it ose të EULEX-it”, ka thënë Rexhepi.

Duke folur rreth kontrabandimit të mundshëm të armëve nëse kufiri nuk është i kontrolluar 100 për qind, ministri Rexhepi ka thënë e një gjë e tillë mund të ndodhë, pasi është e pamundur që kufiri të mbyllet hermetikisht.

“Nuk ka qenë këtu qëllimi i qeverisë që hermetikisht të mbyllet kufiri për arsye se është e pamundur, por ka qenë qëllimi që vendimi i reciprocitetit të respektohet plotësisht dhe kjo është duke u bërë”, ka thënë Rexhepi.