Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 20:25

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com ka raportuar dje, duke iu referuar burimeve në veri, se për sot ishte paraparë një takim me ministrin Rexhepi, në Prishtinë, i gjashtë ish-udhëheqësve të Policisë së Kosovës, nga radhët e nacionalitetit serb, por që ishte bojkotuar nga këta të fundit.

Bajram Rexhepi shkarkoi tre zyrtarët e suspenduar të Policisë së Kosovës, nga radhët e nacionalitetit serb.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, hodhi poshtë ankesat e tre zyrtarëve të policisë, Zoran Miljkoviç, Radomir Radosavljeviç të punësuar në Stacionin Policor në Zubin Potok, si dhe Bratislav Kragoviç, i punësuar në vendkalimin kufitar Jarinjë.

Tre zyrtarët kundërshtuan vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për shqiptimin e masës disiplinore Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Policinë e Kosovës.

Ministri Rexhepi, bënë të ditur burimet zyrtare, vlerëson se vendimi i Drejtorit të Policisë së Kosovës për ndërprerje të marrëdhënies së punës për këta zyrtarë policorë është i drejtë dhe i bazuar në ligj, si dhe është nxjerrë sipas procedurës së paraparë ligjore.

Ministria e Punëve të Brendshme së shpejti do të hapë konkursin për të bërë zëvendësimin e këtyre zyrtarëve policorë nga komuniteti serb.