Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 09:22

Prishtinë – Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, ka kërkuar që të mos pengohet puna e policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Reagimi erdhi pas akuzës së kreut të Komunës së Prishtinës dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, se pjesëtarë të PDK-së dhe të SHIK-ut, po përpiqen ta pengojnë atë në realizimin e projekteve.

Lufta kundër krimit të organizaur dhe korrupsionit nuk ka pardon, ka deklaruar mbrëmë për RTK-në ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe ka kërkuar që të mos pengohet nga askush puna e prokurorive dhe e gjykatave.

Reagimi i minstrit Rexhepi erdhi si kundërpërgjigje ndaj akuzave të kreut të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa se  njerëz të PDK-së dhe të SHIK-ut janë vënë në ndjekje të zyrtarëve komunalë, vetëm për arsyen se me këtë komunë udhëheqë LDK-ja.

Ndihmësdrejtori i përgjithshëm për hetime në policinë e Kosovës, Riza Shillova, nuk ka dashur të lëshohet në komentimin e deklaratës së Mustafë, por ka sqaruar se Policia e Kosovës është e autorizuar të veprojë në bazë të ligjeve në fuqi, duke respektuar parimin e barazisë dhe neutralitetit.

Pesë drejtorë të drejtorive të Komunës së Prishtinës po hetohen me dyshime për korrupsion dhe krime ekonomike e financiare.

Jozyrtarisht mësohet se njëra ndër aferat për të cilat po hetohet është edhe ajo që  lidhet me ndarjen e banesave.