Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 15:55

Prishtinë – Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, tha sot se qeveria ka obligim kushtetues që të shtrijë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, e për këtë e ka mbnështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Nuk do të lejojmë që në një pjesë të vendit të sundojë anarkia dhe krimnaliteti”, theksoi ministri Rexhepi.

Ai përsëriti qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se nuk ka kthim prapa në vendimet e saj për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e Kosovës. Sipas Rexhepit ky është edhe obligim që del nga Kushtetuta e Kosovës, e cila kërkon shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin.

Ministri Rexhepi theksoi se Qeveria është e qartë në vendimin e saj se nuk do të lejojë që në një pjesë të vendit të sundojë joligjshmëria dhe kriminaliteti.

“Shpërbërjen e struktrave paralele, natyrisht se do ta bëjmë, e di që BE nuk do ta bëjë. Jo vetëm strukturat paralele, por edhe ato të sigurisë. Kjo nuk është kundër atyre që punojnë në komuna. Kur të mbahen zgjedhjet atje, do të kemi përfaqësuesit legalë të tyre, të gjithë ata që kanë punuar në to dhe që nuk kanë bërë ndeshje me ligjin. S’ka afate, por jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë, me përkrhaje të KFOR-it”, tha ministri Rexhepi.

Ai e ka lavdëruar punën e stacionit të policisë në Gracanicë, duke theksuar se ndihet krenar me ta dhe punën e tyre. Ai ka paralajmëruar se tabelat e reja të Serbisë, me emërtime të qyteteve të Kosovës, do të konfiskohen, derisa ato të vjetrat do të vlejnë deri më 1 nëntor. (LajmeShqip.com)