Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 13:30

Rexhep Meidani – Duke analizuar me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani thotë se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një shifër të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Sipas Meidanit, ky premtim ka ardhur pa asnjë studim apo prognozë serioze specialistësh të fushës makroekonomike.

Pohimi “programor” që në qeverisjen socialiste, brenda një mandati qeverisës, do të hapen 300 000 vende pune, ashtu si në raste të ngjashme të dyanshme, më la një shije të hidhur, sidomos në kuptimin e seriozitetit të premtimit. Aq më tepër që nga premtime të llojllojshme, të bollshme dhe të mbushura me mashtrime “mrekullish qiellore”, na ka ardhur në majë të hundës në këta 7 vjetët e qeverisjes demokratike! Do të përpiqem të argumentoj, pa ndonjë “matematikë” konkrete, por dhe pa e zgjatur, që në premtim i tillë nuk ka të bëjë fare me ndonjë studim apo prognozë serioze specialistësh të fushës ekonomike-sociale….

Po nisem thjesht nga disa supozime të thjeshta në përllogaritjen e mundësive të krijimit të vendeve të punës, siç janë: (1) sasia e parave që kërkohet për motivimin, nisjen e mbështetjen e një biznesi; (2) përqindja e njerëzve që mund ta marrin apo ta hedhin këtë hap; (3) përqindja e bizneseve të reja që e kanë mundësinë e punësimit shtesë; (4) numri mesatar i punonjësve në veprimtaritë e reja etj.

Në lidhje me supozimin e parë, pavarësisht disa iniciativave të deritanishme, pengesë kryesore mbetet, natyrisht, kapitali fillestar, mungesa e tij, ndërkohë që në kushte krize janë rritur më tej dhe vështirësitë (sidomos të kolateralit) në marrjen e kredive bankare. Përfshirë dhe një shumë prej 7 000-15 000 për të nisur një biznes individual apo për ta zgjeruar sado pak atë të mëparshëm.

Pra, si çështje e parë për t’u kapërcyer është kapërcimi i barrierave konkrete që lidhen me mungesën e kapitalit dhe probabilitetin e kreditimit. Pa iu futur sondazheve, të cilat janë të domosdoshme për vlerësime të drejta, afro një e treta e njerëzve që i futen këtij biznesi të thjeshtë tërhiqen apo dështojnë brenda një periudhe 1-2-vjeçare, jo vetëm në Shqipëri, por dhe vende të tjera. Po ashtu, në nisjen e një biznesi apo në zgjerimin e tij, jo patjetër mendohet për mundësinë e punësimit (jashtë familjes), madje, kur kjo ndodh, jo rrallë vazhdohet të veprohet nëpërmjet një punësimi në të zezë dhe pa kontribut në sigurime.

Për më tepër, kjo përqindje e bizneseve pa “punësim” në Shqipëri është e konsiderueshme dhe në mesatare përafrohet më nivelin e ekonomisë hije, që në variantin më optimist (duke hequr nga përllogaritja sektorin bujqësor) është e rendit të 20-30%.
Shqiptarët parapëlqejnë të punojnë në biznesin e tyre privat, sado i vogël të jetë ai. Këtë fakt e konfirmojnë shifrat e rritjes në numër të bizneseve të vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë vendin.

Bizneset zotëruese në Shqipëri janë ato me 1 deri në 4 të punësuar, që sipas klasifikimit zyrtar, njihen ndryshe si biznese të vogla. Kështu, sipas regjistrit të ndërmarrjeve ekonomike të Institutit të Statistikave, numri i ndërmarrjeve që rezultonin aktive në fund të vitit 2008 ishte mbi 100 mijë, ndërkohë që bizneset e vogla përbënin një përqindje prej 93% kundrejt totalit. Kurse, në vitin 2010, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ishin të regjistruara rreth 133 mijë biznese aktive, nga të cilat 87% ishin persona fizikë. Ndërkaq, ndërmarrjet e mëdha që përbëjnë vetëm një përqindje të ulët (disa për qind) ndaj totalit kanë një peshë të konsiderueshme në punësim.

Ajo, sipas INSTAT-it, për numrin e të punësuarve vlerësohet mbi 37%. Po ashtu, numri i ndërmarrjeve të mesme që janë me 10 – 49 punëtorë është disa qindra. Gjithashtu, duke pranuar se sipas INSTAT-it, në gjatë tremujorit të dytë  2011, forca e punës ka qenë 1 071 581 persona dhe shkalla e papunësisë së regjistruar 13.26% (!); (numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor: 506 664; numri mesatar i të papunëve të regjistruar: 142 068, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie: 7979), numri mesatar i të punësuarve për ndërmarrje (jashtë sektorit privat bujqësor) është më pak se 3 veta.

Nisur nga ky numër mesatar për nisjen e një biznesi dhe shkallën e papunësisë (duke ruajtur të njëjtin rend punësimi në fshat si ai aktuali) kërkohen të hapen 150 000/3 apo afërsisht 50 000 biznese të këtij niveli. Duke marrë një vlerë krejt minimale për nxitje punësimi për person me afro 10 000 euro, na rezulton se për të hapur biznese të tilla kërkohet një kapital fillestar minimal prej 30 000 euro që të çon në nevojën e një kapitali të paktën prej 1.5-2 miliardë euro. Nëse pretendohet që të hapen 300 000 vende pune (natyrisht me zhvendosje natyrore nga zonat rurale) kjo shumë (gjithmonë minimale) del afro 3-4 miliardë euro që praktikisht nuk disponohet brenda sistemit buxhetor në një periudhë qeverisëse 4 vjeçare apo dhe brenda sistemit financiar.

E vetmja mundësi, me sa duket, është një rritje e FDI (investimeve të huaja të drejtpërdrejta), por me ritme “astronomike”. Për ilustrim, këto investime në milion euro, sipas viteve, janë vlerësuar: 278.4 (2004), 224.1 (2005), 259.8 (2006), 463 (2007) (Banka e Shqipërisë, INSTAT), ndërsa për periudhën 2008-2010, sipas raportimeve shumë më “entuziaste”(përfshirë dhe shitjet) në dollarë amerikanë kemi: 978 milionë $ (2008); 989 milionë $ (2009) dhe 1097 milionë $ (2010). Por, përsëri, nuk arrihet dot paraja e duhur, për të punësuar 300 000 veta.

Shtojmë se shifra e konsideruar më sipër për hapjen e një vendi pune për person është tepër e vogël krahasuar me shumën (mbi 200 000 dollarë) të përllogaritur sipas paketës Obama të stimulimit ekonomik në SHBA  për krijimin apo ruajtjen e një vendi pune. Ndërsa, vlerësimet e mëparshme në ShBA për koston e një vendi të ri pune para krizës kanë qenë midis 20 000 dollarëve dhe  mbi 50 000 dollarëve, në varësi të rajonit rural, gjysmë urban apo urban në shtete të ndryshme. Në rastin e Turqisë kostoja mesatare e një vendi të ri pune ka rezultuar afro 20 000 euro, ndërkohë që në bujqësi ajo është më pak se 10 000 euro.

Një çështje tjetër që duhet konsideruar në këtë planifikim është dhe vlera e GDP-së, marrja parasysh e saj apo “përkthimi” i rolit të saj në krijimin e vendeve të reja (duke përfshirë rrogat, rentën, interesin, përfitimin etj.). Jo patjetër rritja e GDP-së, në përgjithësi, mund të pasqyrohet në rritjen e punësimit. Ajo mund të kushtëzohet nga shtesa (përgjithësisht e paguar) e orëve të punës apo dhe një produktivitet më i lartë, pa prekur shkallën e punësimit. Tek ne ndeshet rasti i parë, por jo i dyti. Në këtë kuptim, një 1% për qind rritje ekonomike mund të çojë në rritje 0.5-0.75% të punësimit, p.sh., në ShBA; por, jo në rastin shqiptar! P.sh., në Shqipëri, në vitin 2010, GDP-ja vlerësohet 13 032 miliardë dollarë (ndryshe nga GDP-PPP (Purchasing Power Parity) prej 24 946 miliardë dollarësh), kurse në vitin 2008 GDP për frymë: 4050 dollarë (GDP per capita – PPP: 7753 dollarë).

Megjithatë, në Shqipëri, me gjithë rritjen ekonomike disa për qind, gjatë periudhës së krizës globale apo të borxhit, forca e punës dhe numri i të punësuarve në tremujorin e dytë 2009 janë “tkurrur” përkatësisht nga 1 114 166 dhe 972 831 veta në 1 071 581 dhe 929 513 veta në tremujorin e dytë të vitit 2011 (duke rritur shkallën e papunësisë zyrtare nga 12.70% në 13.26%, ndërkohë që ajo realja mund të jetë shumë më e madhe!).

Së fundi, një shifër e tillë punësimi, qoftë dhe për t’u realizuar pjesërisht, kërkon një program të detajuar dhe projekte konkrete. Mbi të gjitha, një strategji e fortë punësimi, mbështetur në një politikë të qartë makroekonomike, kërkon ndërhyrje të sforcuara qeveritare të tipit kejnezian. Pra, ky premtim për t’u realizuar sado pak, kërkon në një mënyrë ose tjetrën mbështetje aleatësh (pavarësisht nëse ata deklarohen liberalë e neoliberalë apo jo), por edhe kontributin përfshirës e pjesëmarrës të spektrit politik opozitar. Kjo nuk mund të besohet që do të jetë e lehtë në një periudhë të parë të rotacionit politik!…

REXHEP MEIDANI
ISH-PRESIDENT I REPUBLIKES SE SHQIPERISE