Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 09:00

PRISHTINE– Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte, Ramush Haradinaj, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, se pret që të bëhet kryeministër, veprim ky që sipas agjencisë, ka të ngjarë që ta zemërojë Serbinë, në kohën kur Bashkimi Evropian po i shtyn dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet.

Haradinaj, që ka shërbyer s si kryeministër në vitin 2005, i tha agjencisë Reuters, se brenda disa ditëve do të nisë bisedimet me kryeministrin Hashim Thaçi, që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia opozitare që ai e drejton, t’i bashkohet qeverisë.

Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj, janë liruar si të pafajshëm nga akuzat për “trajtim mizor, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve” në atë që quhet kampi ushtarak i Jabllanicës në periudhën 1 mars – 30 shtator të 1998-ës, që sipas agjencisë ka shkaktuar zemërimin e Beogradit.

Reuters shkruan për spekulimet e dendura në mediat e Kosovës, se Thaçi do ta braktisë postin e kryeministrit në këmbim të atij të presidentit, një post që më shumë është ceremonial, por që do t’ia bënte atij të mundur konsolidimin dhe marrjen e mbështetjes.

“Qëllimi im është që të marrë përgjegjësi primare për vendin, të marrë përgjegjësi qeverisjeje dhe mundësi për të punuar në ndryshimin e situatës në vend”,- ka thënë Haradinaj.

Agjencia shkruan se zgjedhjet nuk do mbahen deri në fund të 2014-ës, por sipas analistëve nuk është e qartë nëse koalicioni mund të mbijetojë deri atëherë.

Duke komentuar bisedimet mes Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, Reuters shkruan se zëvendësimi i mundshëm i Thaçit nga ana e Hardinajt në tryezën e bisedimeve, mund ta largojë Daçiçin nga miratimi i marrëveshjeve.(LajmeShqip.com)